MKRS i reagon ish-ministres Dumoshi në lidhje me Qendrën Historike të Prishtinës: Dezinformimi s’kalon!

Ministria e Kulturës ka reaguar ndaj deklarimeve të ish-ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila ndër të tjera tha sot se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, e as Ministria e Kulturës nuk e kishte siguruar përcaktimin e perimetrit dhe zonës mbrojtëse për Qendren Historike të Prishtinës.

MKRS e ka quajtur dezinformim të radhës reagimin e ish-ministres Dumoshi.

“Kur edhe ky pseudoargument doli nonsens, ish ministra që vijnë nga subjekti i njëjtë politik, sot e bënë një deklarim publik të radhës vetinkriminues por që, për fat të mirë të trashëgimisë sonë kulturore e edhe të vet atyre, është i gabuar”- thuhet në reagim.

MKRS ka thënë se regjistrimi në kadastër i këtyre aseteve, megjithëse është përcaktim ligjor në Ligjin për Trashëgimi Kulturore, nuk e kushtëzon zbatimin e regjimit ligjor mbrojtës për asetet dhe zonat mbrojtëse të trashëgimisë kulturore.

“Sipas kësaj logjike, ministrat (sigurisht këtu edhe z. Kujtim Shala dhe znj. Vlora Dumoshi) sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e departamentit për trashëgimi kulturore dhe drejtorët e prokurimit në MKRS, duhen ndjekur penalisht, denohen e burgosen sepse paskan dëmtuar buxhetin për asete që nuk kanë status të mbrojtjes”- ka deklaruar MKRS.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në reagim bënë thirrje për respektim të ligjit dhe pajisje me leje për punimet në sheshin “Xhorxh Bush”

“Respektoni ligjin, parimet e konservimit duke përfillur rekomandimet e IKMM-së, pajisuni me leje dhe mos kërkoni fajtor aty ku nuk ka, madje duke vetinkriminuar vetën”- thuhet në reagimin e MKRS.

Dumoshi nga ana e saj ka theksuar se objektet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Listën e trashëgimisë, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, regjistrohen nё Agjencionin kadastral dhe gjeodet tё Kosovës, nё tё dyja nivelet; qendror dhe lokal.

“Prandaj, edhe përkundër angazhimit tim , qoftë në Komunë dhe më vonë në Ministri që të përfshihet nën mbrojtje Qendra Historike e Prishtinës, po rezulton se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk e paska proceduar këtë çështje ashtu siç e kërkon Ligji, pra nuk e ka përcaktuar perimetrin e zonës mbrojtëse për këtë aset”-  kishte shkruar ndër tjera, Dumoshi.

Në anën tjetër kryetari Përparim Rama, të mërkurën deklaroi se punimet janë duke vazhduar dhe se ky Projekt do të realizohet.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, më 30.04.2025 akuzoi Komunën e Prishtinës se kontrata për sheshin “Xhorxh Bush” është nënshkruar kundërligjshëm, pa pasur Komuna buxhetin e mjaftueshëm.

Back to top button