MKRS kategorizon federatat sportive, Xhudo e para

Për herë të parë është zhvilluar procesi i kategorizimit të federatave sportive në Kosovë.

Përmes një postimi Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka publikuar rezultatet preliminare, ku bashkë me ato është përcaktuar edhe vlera e mbështetjes financiare për federatat.

Federatat e sportit janë ndarë në 5 kategori, shkruan rtv21.tv.

Në kategorinë A janë renditur, Federatat e Xhudos së Kosovës, Federata e Hendbollit të Kosovës dhe Federata e Volejbollit të Kosovës.

Në kategorinë B janë renditur, Federata e Futbollit të Kosovës, Federata e Boksit të Kosovës dhe Federata e Basketbollit të Kosovës.

Në kategorinë C janë renditur, Federata e Atletikës së Kosovës, Federata e Pingpongut të Kosovës dhe Federata e Mundjes së Kosovës.

“Procesi i kategorizimit reflekton përmbajtjen e nëntë kritereve të përcaktuara në Rregulloren (MKRS) Nr. 13/2022 për Kategorizimin e Sporteve, duke përfshirë: organizimin e garave ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare, kriterin e masovitetit në përbërje të numrit të klubeve dhe sportistëve, statusin e sportit, popullaritetin e sportit në nivel ndërkombëtar, traditën e sportit përbrenda vendit, kriterin e gjithëpërfshirjes, ngritjen e kapaciteteve të federatave sportive dhe organizimin e aktiviteteve sportive vendore – kampionatet shtetërore”, shkruan MKRS në “Facebook”.

Duke shtuar më tutje se “Performanca e federatave sportive vlerësohet sipas pikëve të përcaktuara në rregullore nga Komisioni Vlerësues për Kategorizimin e Sporteve”./21Media

Back to top button