MMPHI sqaron rolin e saj për dhënien e lejeve ndërtimore

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka bërë të qartë kompetencat e saj për dhënien e lejeve ndërtimore, pas deklarimeve gjatë fushatës zgjedhore në lidhje me suspendimin e lëshimit të lejeve për gjashtë muaj.
Kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së Uran Ismaili gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit, ka paralajmëruar se do të ketë pezullim për 6 muaj të lejeve ndërtimore në Prishtinë nëse në planet hapësinore nuk përfshihen edhe hapësirat për gjelbërim.
MMPHI sqaron se në bazë të Ligjit për Ndërtim, për ndërtime të kategorisë I dhe II, kompetente për lëshimin e lejeve janë komunat, ndërsa për kategorinë III, kompetencën për lëshimin e lejeve e ka MMPHI.
Në kategorinë e I, bëjnë pjesë ndërtime të vogla, me ndikim minimal në mjedis dhe hapësirë si shtëpi individuale banimi, objekte të vogla ndihmëse. Në kategorinë e II, bëjnë pjesë ndërtime me rëndësi mesatare, që kanë ndikim më të madh në mjedis, ndërsa në kategorinë e tretë bëjnë pjesë ndërtime me rëndësi kombëtare ose ndërkomunale, me ndikim të madh hapësinor, ekonomik dhe mjedisor siç parashihet në dispozitën te shtojca 1 – Ligji për Ndërtim.
MMPHI sqaron se në raport me ndërtimet e kategorive I dhe II, është vetëm në kuadër të procedurave të ankesës, ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, konkretisht, në rast të refuzimit të kërkesës nga komuna, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në MMPHI, e cila shqyrton ankesën dhe mund ta aprovojë ose ta refuzojë siç përcaktohet në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, raporton KosovaPress.
Komunat, nëse nuk pajtohen me vendimin e MMPHI-së, kanë të drejtë që brenda 30 ditëve të iniciojnë procedurë për konflikt administrativ pranë gjykatës kompetente. MMPHI qartëson gjithashtu se nuk lëshon leje ndërtimi për kategoritë I dhe II, por vetëm për kategorinë III, dhe ushtron kompetencat e saj ligjore vetëm në kuadër të trajtimit të ankesave administrative.
MMPHI fton të gjithë akterët politikë dhe publikë që të jenë të saktë në komunikimet e tyre, në mënyrë që qytetarët të informohen drejt mbi rolin dhe përgjegjësitë ligjore të institucioneve.