Kaloni te përmbajtja kryesore

Rrustemi: LVV-ja s’ka votë për asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të votojë asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, thotë ish-deputeti, Adnan Rrustemi. Një ditë pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga komuniteti serb, anëtari i LVV-së kritikon Kushtetuesen se i ka dhënë një levë shtesë Listës Serbe për të bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe për ta përdorur këtë si një mekanizëm me fuqi vetoje edhe në të ardhmen.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, megjithëse kryeparlamentari i sapo zgjedhur, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar legjislaturën e nëntë në fund të muajit gusht.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Rrustemi thotë për KosovaPress se ani pse presin publikimin e plotë të aktgjykimit të Kushtetueses, ky vendim nuk i kontribuon zhbllokimit dhe krijimit të institucioneve, por vazhdimin e bllokadës dhe paqartësisë.

“Pa çka se nuk e kemi aktgjykimin e plotë, i jep një levë shtesë Listës Serbe për të bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe për ta përdorur këtë si një mekanizëm me fuqi vetoje për të penguar sot konstituimin dhe më pas krijimin e institucioneve të reja dhe për ta keqpërdorur këtë edhe në të ardhmen. Sido që të jetë, mbetet të shihet aktgjykimi dhe arsyetimi i plotë, por nuk është një vendim që i kontribuon zhbllokimit dhe krijimit të institucioneve, por që e bart, natyrisht, edhe më tutje, mos konstituimin e Kuvendit”, thotë ai.

Në njërën nga dy urdhëresat e Kushtetueses, kërkohet që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, deputetët e Kuvendit të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

Mirëpo, Rrustemi thotë se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të votojë asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Madje ai i bën thirrje edhe partive ish-opozitare në Kuvend për një gjë të tillë, siç thekson, duke marrë parasysh veprimtarinë e Listës Serbe dhe pozicionimin e saj ndaj strukturave kriminale dhe terroriste.

“Ne, si Grup Parlamentar, dhe si subjekt politik nuk kemi votë për asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Madje, kemi bërë thirrje edhe deputetëve të opozitës që të mos votojnë për kandidatin e Listës Serbe për nënkryetar, por të votojnë deputetin Nenad Rashiq. Gjithmonë duke pasur parasysh veprimtarinë e Listës Serbe dhe pozicionimin e saj ndaj strukturave kriminale dhe terroriste”, thekson Rrustemi.

Ndërkaq, sa i përket urdhëresës tjetër, ku Kushtetuesja urdhëron deputetët e Kuvendit që të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, Rrustemi deklaron se ka shumë paqartësi juridike se çka mund të ndodhë nëse s’ka respektim të këtij afati.

“Deri më tani, në dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nga momenti kur është interpretuar afati 30-ditor si afat imperativ për konstituimin e Kuvendit, nuk ka pasur përcaktim të pasojave juridike për rastin kur ky afat nuk respektohet. Në njoftimin e fundit, ky 12-ditësh interpretohet si pjesë e pashfrytëzuar e afatit 30-ditor të dytë. Përsëris: nuk ka ndonjë pasojë të paraparë, të paktën jo në njoftim. Nëse do të thuhet diçka në aktgjykimin e plotë, ajo mbetet të shihet. 12-ditëshi është thjesht një konstatim që aq ditë kanë mbetur nga ezaurimi i afatit 30-ditor të dhënë me vendimin e dytë të Gjykatës Kushtetuese”, shton ai.

Sipas tij, Kushtetuesja ka pasur mundësi dhe argumente të pafundme për të konstatuar se Lista Serbe ka refuzuar të propozojë kandidat tjetër për nënkryetar pasi deputeti Slavko Simiq nuk i ka marrë votat e nevojshme, si dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka shterur të gjitha mundësitë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.

“Por, ne duhet të shohim aktgjykimin e plotë dhe arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse nisemi vetëm nga njoftimi, fakti që e ka kthyer procesin te pika e rendit të ditës ‘zgjedhja e nënkryetarëve’ duke mos e konsideruar Kuvendin të konstituuar, pa çka se, po e përsëris, që Kuvendi ka zhvilluar të gjitha përpjekjet për të zgjedhur nënkryetarin e pestë, domethënë thjesht, asnjëri prej tyre nuk i ka marrë votat e nevojshme, krijon një rrethanë të re të paqartësisë, e cila mund të keqpërdoret dhe të shfrytëzohet për të bllokuar më tutje krijimin e institucioneve të reja. Kjo rrethanë mund të keqpërdoret, duke marrë parasysh karakterin dhe synimet politike të Listës Serbe, dhe faktin që ajo është një mekanizëm i drejtpërdrejtë i Beogradit zyrtar për të penguar shtetin e Kosovës, për të sabotuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe për të demonstruar veprimtarinë destruktive dhe destabilizuese të Serbisë kundrejt shtetit të Kosovës”, përfundon Rrustemi.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në anën tjetër, pas vendimit të djeshëm të Kushtetueses, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka shkruar në rrjetin social Facebook, se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues, ai duhet të shpërndahet dhe të mbahen zgjedhjet e reja.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button