“Modeli i dy Gjermanive” si zgjidhje
Kosova duhet të kërkojë zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me një rezolutë që do ta pranonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë, kanë thënë njohës të rrethanave politike në Kosovë. Sipas tyre, një marrëveshje e re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në një model të vjetër Gjermano-Gjerman, do të dëmtonte perspektivën e Kosovës.
Një model i dy Gjermanive i propozuar që më 2007, para përfundimit të bisedimeve shtesë mbi statusin e Kosovës, nga i dërguari i BE-së, Ëolfgang Ischinger, është rikthyer në skenë. Modelet e ndryshme të zgjidhjeve në botë, sikundër që janë përfolur prej vitesh sërish kanë nisur të qarkullojnë, së bashku me një numër dokumentesh zyrtare e jozyrtare. Në Kosovë modeli gjermano-gjerman sërish ëhstë parë me skepticizëm dhe është hedhur poshtë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka shkruar se marrëveshja sipas këtij modeli është propozuar që më 2006 nga qarqet e Beogradit.
“Ky propozim në thelb është gabim dhe i papranueshëm. Kosova mund të pranojë këtë model në raport me Shqipërinë me perspektivën e bashkimit me Shqipërinë si kundërpërgjigje ndaj sabotimit të Serbisë dhe shtrirjes së influencës Ruse dhe Kineze në Balkan por asesi në raport me Serbinë. Pavarësia e Kosovës është projekt i kompromisit për Paqe dhe jo falje ndaj Serbisë dhe krimeve që ajo ka bërë mbi shqiptarët në më shumë se dy shekuj radhazi”, ka thënë Abazi.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se marrëveshja e dy Gjermanive nuk mund të zbatohet në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Analisti politik Shqiprim Pula jep disa arsye pse ky model nuk është i duhur!
“Ideja për modelin e dy Gjermanive nuk ka të bëjë fare me aspektin historik, kombëtar gjuhësor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë prandaj nuk mund të jetë një model i cili mund të ofron një zgjidhje të qëndrueshme. Nuk duhet harruar që ne me Serbinë nuk ndajmë kombin nuk ndajmë gjuhën nuk ndajmë historinë prandaj nuk mund të jetë ndryshe si zgjidhje e cila mund të jetë e pranueshme dhe afatgjate”, ka thënë Pula.
Analisti Dorajet Imeri thotë se modeli i dy Gjermanive është i pazbatueshëm në rastin e Kosovës dhe Serbisë.
“Ky model edhe me tej do ta thellonte ndasinë midis dy vendeve, së dyti do të prodhonte një status quo të re dhe natyrshëm se do ta largonte zgjidhjen reale të problemit në mes të dyja vendeve edhe për një kohë. Pra duke u nisur nga kjo perspektivë konsideroj se si model përveç se është i pa implementueshem është edhe i dëmshëm dhe do ta thellonte edhe me tej krizën ne mes te dy vendeve, krizë e cila sigurisht do të mund të kishte efekte të jashtëzakonshme për të gjitha zhvillime në Bashkimin Evropian por ne veçanti do të kishte efekte negative për rajonin e Ballkanit ku trazirat do të mund të ishin prezente!”, ka thënë Imeri.
Ajo çfarë është proklamuar si pozitive për Kosovën nga qarqet e caktuara ndërkombëtare te marrëveshja midis dy Gjermanive do të ishte anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në OKB. Por analisti Pula thotë se për anëtarësim në këtë organizatë duhet të punohet në miratimin e një rezolute të re për Kosovën.
“Qeveria e Republikës së Kosovës pra duhet me tepër te lobojë tek vendet anëtare të OKB-se që të merret një iniciative dhe të zhvleftësohet rezoluta 1244 dhe të nxjerrët një rezolutë e cila do të nënkuptonte njohjen e vendimit te GJND-se mbi shpalljen e pavarësisë si një akt i drejte dhe i pranuar ndërkombëtarësh. Prandaj ajo çka pritet më tepër nga institucionet e vendit është më tepër lobim më tepër angazhim sa i përket një rezolute të re e cila do t’i evitonte pengesat ndërkombëtare mbi anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Pula.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë të hënën se Serbia nuk do të mund të pranonte në asnjë mënyrë që Kosova të anëtarësohej në OKB. Ai tha se Serbia do të ketë probleme edhe nëse e pranon ose refuzon që Kosova të anëtarësohet në OKB./21Media