​Për shkak të protestave aktiviteti i Trendafilovas do të zhvillohet online

Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova nuk do ta mbajë aktivitetin e paralajmëruar për nesër në Gjilan në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim, për shkak të protestave të paralajmëruara.
Specialja ka thënë se aktiviteti do të zhvillohet përmes internetit.
“Pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës së re të krijuar lidhur me protestat e paralajmëruara kundër aktivitetit me shoqërinë civile të mërkurën në Gjilan, me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, sot u vendos që aktiviteti të zhvillohet përmes internetit”, thuhet në njoftim.
“Kryetare Trendafilova deklaroi se ‘mandati i Dhomave të Specializuara është administrimi i drejtësisë në mënyrë të drejtë, të pavarur, të sigurt dhe të paanshme’. Ajo theksoi se ndodhet në Kosovë për të biseduar me njerëz për punën e Dhomave të Specializuara në mënyrë transparente dhe të saktë, siç e ka bërë në disa raste më parë, dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kenë njerëzit. Sipas Kryetares Trendafilova ‘një shkëmbim i tillë mund të zhvillohet vetëm në një mjedis të sigurt dhe konstruktiv’. Prandaj, në interes të sigurisë publike, u mor vendimi që kjo veprimtari të zhvillohet përmes internetit”, thuhet tutje në njoftim.
Partia Socialdemokrate. për nesër kishte paralajmëruar protestë në orën 10:00 kur Trendafilova pritej të mbante një takim në Gjilan./21Media

Back to top button