Ushtruesi i detyrës së FBI-së i përgjigjet Senatit

Nuk ka pasur përpjekje për pengim të hetimeve për Rusinë!

Ushtruesi i detyrës së FBI-së, Endru Mek Kejb ka thënë sot shkarkimi i shefit të tij nuk do të ndikoj në punën e FBI-së. Ai tha po ashtu se agjencia ka pasur burime të mjaftueshme për të hetuar mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe se nuk është në dijeni të ndonjë kërkese për burime shtesë. Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë përpjekje për pengim të këtyre hetimeve dhe se edhe pas largimit të kreut të FBI-së Xhejms Komeit, ato të do vazhdojnë.

Endru Mek Kejb ka folur sot para Komitetit të Inteligjencës të Senatit, dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump shkarkoi Xhejms Komein nga pozita e drejtorit të FBI-së, shkruan rtv21.tv

Komei po mbikëqyrte hetimet kriminale lidhur me Rusinë dhe shkarkimi i tij ka tronditur ligjvënësit amerikanë.

Ligjnëvësit demokratë, dhe disa republikanë, publikisht kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me arsyetimin që presidenti Trump ka dhënë për shkarkimin e Komeit.

Trump ka deklaruar se e ka shkarkuar Komein, për shkak të keq menaxhimit të hetimit për i-meilet e kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.

I pyetur nga senatori republikan, Marko Rubi, se a ka pasur përpjekje për të penguar hetimet e agjencisë, Mek Kejb është përgjigjur “jo”.

“Puna e FBI-së vazhdon pavarësisht çdo ndryshimi dhe nuk ka pasur asnjë përpjekje deri më sot për të penguar hetimin tonë”, ka thënë ai.

Burime nga kongresi amerikan thanë dje se disa ditë para se të shkarkohej nga presidenti Trump, Komei kishte kërkuar burime shtesë për hetimet mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet në SHBA./21Media

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button