Mogherini: Situata në BE, ende nuk është e përkryer

Në urimin e saj me rastin e Ditës së Evropës

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini, në urimin e saj me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës, deklaroi se situata në union nuk është e përkryer.

Megjithatë, në porosinë e saj e publikuar në faqen në internet të shërbimit evropian për politikë të jashtme, ajo tha se përmirësimet janë të mundshme, shkruan rtv21.tv

Mogherini tha se në hapësirën aktuale globale të gjithë miqtë anembanë botës e shohin Bashkimin Evropian si një superfuqi për paqe dhe zhvillimin e njerëzimit, por shtoi se kjo nuk do të thotë se unioni është i përkryer. Ajo më tutje tha se reformat në kuadër të Bashkimit Evropian janë të domosdoshme, se ajo janë të mundshme dhe se janë duke ndodhur.

Duke kujtuar se unioni mbushi 60 vjet, Mogherini nënvizoi se ishin këto gjashtë dekada të paqes, të mbrojtjes së punëtorëve, vite të lirisë dhe të drejtave.

Evropa shënon 9 majin, për të kujtuar deklaratën e Shumanit, apo deklaratën e bërë nga ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, më 9 maj të vitit 1950. Ai propozoi që prodhuesit e thëngjillit dhe të çelikut në Francë dhe Gjermani të vendosen nën kryesimin dhe mbikëqyrjen e një autoriteti të vetëm më të lartë. Kjo organizatë do të qëndronte e hapur edhe përfshirjen e shteteve tjera perëndimore.

Kancelari i Gjermanisë, Konrad Adenauer, reagoi pozitivisht dhe pranoi ofertën e Shumanit, siç bënë edhe Holanda, Belgjika, Italia dhe Luksemburgu. Brenda një viti, më 18 prill të vitit 195, gjashtë shtetet themeluese nënshkruan Traktatin e Parisit, me të cilin u krijua Komuniteti Evropian i Thëngjillit dhe Çelikut. Krijimi i kësaj organizate hapi shtegun për krijimin e Komunitetit Evropian të Ekonomisë, e më pas edhe të Bashkimit Evropian në formën e sotme./21Media

Back to top button