Molliqaj: Edhe Qeveria Kurti e pranon Serbinë si hisedare në Kosovë

 
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pasdeklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi se është arritur një marrëveshje në parim mes palëve për situatën sa i përket targave dhe po pritet vetëm miratimi nga pala serbe.
Molliqaj në reagimin e tij ka thënë se kryeministri Albin Kurti sot u dorëzua.
Tutje Molliqaj ka shtuar se disfata e Kurtit mund të shpjegohet në 3 pika:
“1. Edhe Qeveria Kurti e pranon Serbinë si hisedare në Kosovë, duke negociuar me të për çështje të brendshme të Kosovës (për veriun e vendit);
2. Qeveria Kurti legjitimoi strukturat paralele në veri dhe konfirmoi heqjen dorë të Kosovës nga sovraniteti jonë shtetëror atje. Kjo duke lejuar përdorimin e tabelave KM (Kosovska Mitrovica), për të cilat Besnik Bislimi tha shprehimisht që do të konfiskohen “vetëm nëse kalojnë në jug” por jo edhe në veri. Pra ja ku filloi, edhe nga Qeveria Kurti, trajtimi i veriut si zonë e veçantë nga gjithë pjesa tjetër e Kosovës. Si zonë ku strukturat paralele e kanë kontrollin. Si zonë ku Qeveria e Kosovës as që ka pretendim ta shtrijë sovranitetin.
3. Dorëzimi i sovranitetit tek KFOR-i, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është kthim mbrapa në aspektin e shtetësisë. Baza juridike e KFOR-it në Kosovë është Rezoluta 1244, që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë. Delegimi formal nga Qeveria i sovranitetit tek KFOR-i, nënkupton legjitimim të rezolutës 1244. Prandaj me këtë pajtohet Serbia pa problem. Mos të harrojmë që kryeministri Kurti, gjatë qeverisë së parë, e kishte dërguar në prokurori marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me NATO-n për mosdërgim të forcave të Kosovës në veri të vendit. Sot Kurti e afirmoi këtë marrëveshje. Duke pranuar t’ia heq Policisë së Kosovës të drejtën për të qëndruar atje”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Në Bruksel është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja, e cila pret miratimin e Bogradit, është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.
Marrëveshja, sipas kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit, parasheh tri elemente: i pari është që nga dita e hënë si Serbia ashtu edhe Kosova të avancojnë dhe të përdorin “letrat ngjitëse” në vend të tabelave. Kjo zgjidhje, sipas tij, do të jetë e përkohshme pasi në të njëjtën kohë do të krijohet edhe një grup punues i cili brenda gjashtë muajsh do të gjejë një zgjidhje të përhershme të problemit të lëvizjes së lirë.
Pika e tretë, sipas tij, ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas dokumentit ditën e shtunë do të vendosej KFOR-it që do të zëvëndësonte njësitë speciale të policisë së Kosovës të cilat do të tërhiqeshin bashkë me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë./21Media

Back to top button