Momente nga dërgimi i monumentit të Skënderbeut në Gjakovë

Artisti i njohur Ilir Shaqiri ka publikuar një video në llogarinë e tij në Facebook nga momentet e bartjes së monumentit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Gjakovë.

“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu po marshon drejt Gjakovës heroike dhe nga nesër do të shkëlqejë aty përjetësisht”, ka shkruar Shaqiri.

Videoja përcillet nga kënga e njohur e Ilir Shaqirit kushtuar heroit kombëtar me vargjet “O moj tokë e bekuar, prite-prite Skënderbeun, se po vjen si pëllumb i shkruar ta shpëtojë mëmëdheun”.

Ndryshe, monumenti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu do të përurohet nesër nga ora 12:00 në Gjakovë, në vigjilje të shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të kësaj komune. Monumenti i Skënderbeut tashmë është vendosur në platon e madhe e Parkut të Qytetit.

Skënderbeu (1405-1468) konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.

Me rastin e shënimit të ditëlindjes së Skënderbeut më 6 maj në sheshin që mban emrin e heroit në Prishtinë do të mbahet një takim i organizuar nga Lëvizja e Deçanit dhe shoqata të tjera, duke filluar nga ora 13:00.

Back to top button