Morën para duke u premtuar grante dy aplikuesve, arrestohen dy të dyshuar

Sektori anti-korrupsion i Policisë së Kosovës ka arrestuar sot dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ”Ushtrim i ndikimit”.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, me datë 16.01.2023, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘Ushtrim i ndikimit’ neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me ç ‘rast dy persona të dyshuar janë arrestuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Tutje, në njoftim bëhet e ditur se dyshohet se të njëjtit kanë pranuar një shumë të parave në emër të zyrtarëve të një ministrie të RKS-së, me premtimin se do të ushtrojnë ndikimin për futjen e dy aplikuesve për grante në listën e përfituesve në atë ministri.
Lidhur me rastin dy personat e dyshuar janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të lartcekur, përderisa të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren me autorizimin e prokurorit kompetent./21Media

Back to top button