(Mos) pagesat e subvencioneve për fermerët, deklarohet për RTV21 Ministria e Bujqësisë

Ditëve të fundit ka pasur numër të madh ankesash nga fermerët për shkak të vonesave në pagesat e subvencioneve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
Megjithatë, shefja e Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Bujqësisë, Leonora Behluli – Arifi i tha portalit rtv21.tv se pagesat për subvencionet në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2024 janë duke u ekzekutuar në vazhdimësi.
Behluli-Arifi tutje ka bërë të ditur se deri më tani, janë realizuar 75% e pagesave në kuadër të programit të rregullt. Ndërsa, pjesa tjetër sipas saj është në proces të kontrollit në terren, kontrollës administrative për të verifikuar nëse aplikuesit i plotësojnë kriteret e pranueshmërisë.
Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), përmes një reagimi të martën ka thënë se vonesat që janë duke ndodhur, janë duke i vendosur fermerët në situata të pafavorshme, ku shumë prej tyre po përballen me vështirësi, mungesë mjetesh financiare, borxhe dhe pa mundësi për të blerë me kohë inputet e nevojshme për mbjellje vjeshtore për të mbuluar shpenzimet e inputeve, si: farërat, plehrat, karburantin dhe shpenzimet tjera të cilat janë rritur ndjeshëm për shkak të inflacionit të lartë.
“Prandaj, vonesa në pagesë të subvencioneve po ndikon direkt në planifikimin e tyre sezonal dhe si rrjedhojë do të ndikojë negativisht në prodhimin final bujqësor”, thuhet në reagimin e Shoqatës së prodhuesëve të Qumështit të Kosovës.
Mirëpo, Ministria e Bujqësisë për portalin rtv21.tv ka thënë se janë në fazën e kontrollës administrative dhe pritet që deri në fund të muajit nëntor të këtij viti të përfundojnë dhe të procedohen edhe këto lëndë për pagesë.
“Gjithashtu edhe afati për aplikim për gjashtëmujorin e parë për qumështin sipas cilësisë GJM1 ka qenë i hapur nga data 01 gusht deri me datën 01 shtator 2024 dhe aktualisht jemi në fazën e kontrollës administrative edhe të këtyre lëndëve dhe pritet që deri në fund të muajit Nëntor të këtij viti të përfundojnë dhe të procedohen edhe këto lëndë për pagesë. Për vitin 2024 janë mbështetur të gjitha sektorët dhe nënsektorët për sipërfaqe përmes subvencionimit të pjesshëm të çmimit të naftës, në vlerë prej 0.36 €/litër për sasi prej 150 litër/ha. Gjithashtu, është ofruar mbështetje shtesë përmes subvencionimit të pjesshëm të plehut artificial, deri në 100 €/ha për disa kultura. Aplikuesit kanë pasur afat deri më 01.09.2024 për dorëzimin e faturave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Shefja e Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Bujqësisë, Leonora Behluli – Arifi tha tutje për portalin rtv21 se sa i përket Programit të ri të Pagesave Direkte për vitin 2025, janë krijuar grupe punuese për hartimin e draft programit.
“Këto grupe do të japin propozime për mbështetje të fermerëve, ku pjesëmarrës në këto grupe punuese janë gjithmonë përfaqësuesit e shoqatave përkatëse e gjithashtu edhe ajo e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, ku propozimet/komentet e tyre janë marrë në konsideratë dhe do të merren edhe në të ardhmen pasi politikat e MBPZhR-së janë të orientuara dhe synojnë lehtësimin e masave për të gjitha kategoritë mbështetëse”, ka thënë Behluli-Arifi./21Media