Asociacioni i Mediave të Pavarura të Kosovës (AMPEK) vlerëson se mosaplikimi i tarifave të VAPIK-ut, konform ligjit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta dëmton rëndë sektorin e transmetuesve! Kërkojnë që tarifat të aplikohen menjëherë.

Kryetarja e bordit të AMPEK-ut, Afërdita Saraçini – Kelmendi përmes një postimi në Facebook ka rikujtuar institucionet se transmetuesit janë dëmtuar rëndë me vite të tëra!

“Transmetuesit janë të obliguar të paguajnë të drejtat e autorit dhe këtë e bëjnë rregullisht që nga fillimi i vitit 2018! Ndërkohë, kabllorët , të cilët janë shfrytëzues të drejtpërdrejtë të prodhimit vendor, pra të programeve televizive nuk paguajnë asgjë! E marrin atë prodhim dhe e shesin! Përfitojnë nga pagesat direkte të qytetarëve, ndërsa prodhuesit televizivë mbeten të mbijetojnë nga reklama dhe tregu i parcializuar e i brishtë i Kosovës!”, ka sqaruar Saraçini – Kelmendi.

Vendimi i Qeverisë për ta shtyrë deri më 1 Prill aplikimin e tarifave të VAPIK-ut, siç vlerëson kryetarja e AMPEK-ut, i dëmton rëndë televizionet, “ndërsa duket si mesazh aprililili i datës 1 Prill!”

AMPEK disa herë i është drejtuar Qeverisë me kërkesë konkrete të mbështetjes, në këtë kohë pandemie , të transmetuesve televizivë, por siç thonë ata janë trajtuar padrejtësisht si biznes i thjeshtë përfitues! Kështu AMPEK -u ka vendosur që edhe një herë t’i drejtohet Qeverisë së Kosovës, por tash përmes platformës së Facebook-ut, “ngase janë mësuar që t’i përgjigjen problemeve veç përmes FB, të aplikojë tarifat e VAPIK- ut mënjëherë!”, vlerëson Kryetarja e Bordit të AMPEK-ut, Afërdita Saraçini – Kelmendi.

Asociacioni i mediave të pavarura të Kosovës, konsideron se mostrajtimi adekuat i mediave në Kosovë nga akterët vendimmarrës është i gabueshëm dhe jovizionar për vendin. “Një qasje me serioze karshi tyre dhe nevojave të tyre është imperativ i kohës!”, thotë Saraçini – Kelmendi në emër të mediave të pavarura në Kosovë.

“Duket se po harrohet dhe nuk po shihet roli publik i rëndësishëm i këtij sektori të veçantë në Kosovë! Punëtorët medialë janë shumë aktivë dhe në ballë të betejës për ta mposhtur këtë pandemi, ndërsa nuk i lënë anash as aspektet e tjera të jetës dhe zhvillimeve në Kosovë! “, theksoi ajo.

Dhe, meqenëse nuk ka pako të ndihmës direkte për transmetuesit televizivë, Saraçini – Kelmeni vlerëson se këto tarifa sado pak do të zbusnin situatën e vështirë të tyre!

Edhe Instituti për Zbatimin e të Drejtave të Autorëve, Performuesve dhe Prodhuesve të Veprave Audiovizive të Sllovenisë, i ka dërguar letër Kryministrit të Kosovës Avdullah Hotit, zëvendës ministrit Driton Selmanajt, dhe ministres së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshit lidhur me këto tarifa.

Gregor Stibernik, drejtor menaxhues i AIPA në Slloveni, ndër të tjerash thotë se ka mirëpritur lajmin se pas një procesi dy-vjeçar të kryesuar nga Zyra e të Drejtave të Autorit, tarifat për ritransmetimin e punëve audio-vizive janë miratuar zyrtarisht më 19 Tetor 2020 ndërsa kanë kërkuar që tarifat e aprovuara nga qeveria duhet të zbatohen menjëherë. /21Media