Mosofrimi i ndihmës në rastet emergjente përbën shkelje ligjore

Kodra tha se kërkesa e mjekëve nuk duhet të jetë vetëm ngritja e pagave

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë përmes një konference për media ka kërkuar ndërprerje të grevës së mjekëve si dhe fillimin e një reformë në sistemin shëndetësor.

Drejtori i kësaj shoqate, Besim Kodra tha se Kosova ka një sistem shëndetësor jo të volitshëm për qytetarët. Ai e konsideroi të padinjitetshme mënyrën se si është zgjedhur të mbahet greva.

Sipas tij, kërkesa e mjekëve nuk duhet të jetë vetëm ngritja e pagave porse duhet të kërkojnë edhe mjete e kushte shëndetësore.

“Konsiderojmë se greva duhet të ndërprehet sepse nuk është momenti i duhur pasi që edhe Kuvendi është në pushim, i ftojmë mjekët ta ndërpresin grevën”, tha ai.

Tutje, Kodra tha se mosofrimi i ndihmës në rastet emergjente përbën shkelje ligjore.

Kodra tha se qeveritë kanë dështuar të sjellin reforma në sistemin shëndetësor. Anëtari i shoqatës PRAK, Lumbardh Bytyqi tha se rritja e pagave është kërkese e vogël dhe se duhet kërkuar një organizim më i madh. Megjithatë, ai tha se nuk duhet të lejojnë që pacientëve të mos u ofrohen shërbime.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës-FSSHK ka bërë të ditur se pas festës së Vitit të Ri, më datën 3 janar 2019 do të vazhdohet me grevë pa limit kohor deri në reflektimin e qeverisjes vendore ndaj kërkesave të punonjësve shëndetësorë. Ndërkohë, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve dje ka kërkuar të ndërprehet greva, derisa nëse nuk ofrohet ndihma emergjente Prokuroria dje ka paralajmëruar edhe hetime.

Paga e mjekut specialist  në Kosovë është rreth 600 euro në muaj, ndërsa infermieri paguhet rreth 300 euro në muaj.

Back to top button