Mosshfrytëzimi i mbi dhe nënkalimeve, 113 të vdekur për tri vjet

3 mijë e 640 të lënduar

Mbikalimet dhe nënkalimet në Kosovë vazhdojnë të projektohen, ndërtohen dhe të mos shfrytëzohen nga qytetarët, pasi sipas ekspertëve nuk bëhet një studim i mirëfilltë para vendosjes së tyre dhe si rezultat i vendosjes në vende jo adekuate, qytetarë detyrohen t’i shmangin dhe të kalojnë rrugën edhe aty ku nuk është paraparë kalimi për ata.

E pikërisht nga shmangia dhe mos shfrytëzimi i nën dhe mbi kalimeve, këmbësorët po bëhen shkaktar i një numri të madh të aksidenteve në trafik.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidentet e trafikut në të cilat kanë qenë të përfshirë këmbësorët, janë në numër të lartë. Në vitin 2017 nga aksidentet e trafikut kanë mbetur 44 persona të vdekur, në vitin 2018, janë 29 të vdekur, kurse, në vitin 2019 janë 40 persona të vdekur.

Kurse sa i përket këmbësorëve të cilët kanë pësuar lëndime nga aksidentet në trafik, numri është akoma më i madh, në vitin 2017 kanë qenë 1322 raste, në vitin 2018, 1225 raste, kurse në vitin 2019, gjithsej 1093 raste të lënduar.

Sipas ekspertit të komunikacionit, Visar Baxhuku arsyeja që këmbësoret nuk i shfrytëzojnë vendet adekuate për kalimin e rrugës është për shkak të mos planifikimit të duhur të vendosjes së nën dhe mbi kalimeve.

Baxhuka theksoi se masat represive nuk funksionojnë, detyrimi i kalimit nga policia nuk jep rezultat, por që sipas tij, paraprakisht para vendosjes së këtyre vendeve është dashur të bëhet analiza e duhur, në mënyrë që siç tha ai të mos vije puna deri këtu ku jemi sot, ku nën dhe mbi kalimet kanë mbetur të pa shfrytëzueshme.

Sipas Baxhukut, mos shfrytëzimi i vendeve adekuate për kalimin e rrugës nga këmbësorët, po e rrit numrin e aksidenteve në trafik, e që prej 100 të vdekurve 25 përqind janë këmbësorë.

Të njëjtin mendim kanë edhe qytetarët, të cilët thonë se i shmangin nënkalimet dhe mbikalimet, për shkak të vendosjes në vendet e gabuara, rrezikshmërisë dhe papastërtisë.

Qytetari Qemajl Ahmeti, thotë se para vendosjes së nën apo mbikalimeve duhet të testohet se sa ka qarkullim të qytetarëve në atë zonë. Sipas tij, vendkalimet në Kosovë janë vendosur pa e bërë analizën e duhur të vendit dhe se për këtë arsye shmangen nga këmbësoret dhe kanë mbetur material i shpenzuar kot.

Edhe qytetari Daut Morina ndan të njëjtin mendim. Ai i tregoi se nënkalimet që i bie t’i frekuentojë kanë shumë papastërti dhe në mbrëmje nuk ka ndriçim. Kurse për mbikalimet, ai theksoi se janë vendosur shumë lartë dhe se përmbajnë rrezikshmëri për këmbësorët.

E Zef Morina thotë se nën dhe mbikalimet i shmang për shkak të papastërtisë dhe mënyrës siç thotë ai që janë ndërtuar. Sipas tij, materiali me të cilin janë punuar nuk është i sigurt për kalimin e qytetarëve.

Se nënkalimet dhe mbikalimet janë vendosur në vende të gabuara nuk mendon edhe Habib Qorri, nga sektori për shërbime publike në Komunën e Prishtinës, i cili deklaroi për kp, se para vendosjes së këtyre të fundit është bërë një analizë dhe pastaj janë vendosur. Ai thotë se janë vendosur në vendet më adekuate të mundshme dhe se sipas tij, të gjitha nënkalimet lidhin lagjet dhe pjesët ku qytetarët i frekuentojnë më shumë.

Sa i përket shmangies së këtyre vendeve që janë paraparë për kalim të qytetarëve, Qorri tha se është zgjedhje e qytetarëve nëse dëshirojnë t’i shfrytëzojnë ose të vendosin jetën në rrezik nga shmangia e tyre.

Show More
Back to top button