Motiv i pabesueshem i sulmit në Dortmund

Rusi Sergei V. sulmoi autobusin e Borusisë së Dortmundit për përfitime financiare!

Flitej se bëhej fjalë për një sulm terrorist me prapavijë politike, por sulmi me lëndë shpërthyese kundër autobusit të ekipit të futbollit, Borussia Dortmund, para ndeshjes çerekfinale të Ligës së Kampionëve, në të vërtetë ishte plan djallëzor i një njeriu, i cili deshi të përfitojë në tregun e aksioneve.

Siç njoftoi policia në Dortmund, 28 vjecari, i identifikuar si Sergei V., i cili ka shtetësi ruse dhe gjermane, deshi të pasurohet në një mënyrë mjaft brutale. Ai bëri një plan në dukje të parë mjaft të thjeshtë me tri faza. Së pari të merr një kredi, më pas të aktivizojë bombat në rrugën, nëpër të cilën do të kalonte autobusi i Borusisë, me paratë e kredisë të blente aksione të lira, e më pas, pasi që çmimi i tyre të kthej në nivel normal, t’i shiste me një çmim më të lartë.

Prokuroria gjermane zbuloi se i dyshuari, i cili u arrestua në Tybingen, në veriperëndim të Gjermanisë, kishte marrë një kredi, për të blerë 15 mijë aksione të Borusisë. Gjithashtu u vërtetua se ai ka qëndruar në të njëjtin hotel, prej të cilit ishin nisur futbollistët e Borusisë për të zhvilluar ndeshjen dhe nga dritarja e dhomës së tij kishte përcjellë autobusin, për të aktivizuar më pas tri lëndët shpërthyese, të cilat i kishte vendosur skaj rrugës. Ai aktivizoi bombat me teledirigjues dhe si pasojë e shpërthimeve u lënduan futbollisti i Borusisë, Marc Bartra dhe një polic.

Incidenti, i cili ndodhi rreth 10 kilometra larg stadiumit të Borusisë dhe atë vetëm 90 minuta para fillimit të ndeshjes me Monacon, ndoshta edhe do të kishte mbetur i pazgjidhiur, po të mos kishte zhvilluar policia hetime për atë se kush kishte rezervuar blerjen e aksioneve të Borusisë. Në tregun e aksioneve ekziston një mundësi e tillë, por rezervimi i lartpërmendur ju detyron të paguani për atë që keni thënë se do ta bleni, por jo menjëherë, por pas një kohe të caktuar kohore. Nëse keni fat dhe vlera e aksioneve bie në ndërkohë, atëherë do të paguani një shumë më të vogël, se sa në momentin kur keni bërë rezervimin. Dhe ishte kjo pikërisht mundësia, në të cilin llogariste Sergei V, shkruan rtv21.tv.

Organizatori i këtij sulmi të pabesueshëm mori një kredi në vlerë prej 86 mijë euro, e më pas pikërisht nga hoteli, në të cilin ishin të vendoiur edhe futbollistët e Borusisë, rezervoi blerjen e 15 mijë aksioneve, e që u dëshmua si një gabim i kobshëm për të. Policia, falë IP adresës që mori nga tregu u aksioneve, kuptoi se dikush kishte synuar të pasurohej dhe se këtë e kishte zyrtarizuar me anë të rezervimit pikërisht para sulmit.

Sergei V, aksionet i kishte rezervuar me cmim prej 5.73 euro, e më pas kishte aktivizuar bombat, me shpresë që cmimi i aksioneve të Borusisë në treg do të binte në mënyrë dramatike, para se ai të bënte pagesën. Megjithatë, ndodhën dy rënie të paplanifikuara për të. Cmimi i aksioneve të Borusisë pësoi një rënie të ulët në vetëm 5.41 euro, ndërsa Sergei V. ra në duart e policisë. Policia gjermane menjëherë pas sulmit kishte gjetur një letër në vendin e ngjarjes, në të cilën përgjegjësinë për sulmin kinse e mori Shteti Islamik. Megjithatë, autoritetet gjermane që në fillim kishin tërhequr vërëjtjen se letra aty mund të jetë vendosur në përpjekje për të zhvendosur vëmenden nga sulmuesi i vërtetë dhe me arrestimin e Sergei V. u dëshmua se policia gjermane kishte të drejtë./21Media

Back to top button