Mourinho tregon fituesin e derbit Angli-Gjermani

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Chelseas dhe Tottenhamit, Jose Mourinho mendon që Anglia do ta mposhtë Gjermaninë sot, për të siguruar biletën drejt çerekfinales së Euro 2020.
“Tre Luanët” kryesuan Grupin D me dy fitore dhe një barazim, kurse skuadra e Joachim Low fazën e grupeve e mbylli në vendin e dytë, në “Grupin e Vdekjes” ku bënin pjesë Franca, Portugalia dhe Hungaria.
Fituesi i ndeshjes së sotme në stadiumin “Wembley” do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Suedisë dhe Ukrainës në çerekfinale, ku më pas në gjysmëfinale mund të takohet me fituesin e ndeshjes mes Danimarkës e Republikës Çeke.
Ka pasur shumë debate deri tani se me çfarë formacioni duhet ta fillojë ndeshjen trajneri i Anglisë, Garreth Southgate dhe trajneri i Romës, Jose Mourinho tregoi mendimin e tij, dhe formacionin të cilin do ta dëshironte.
“Ka shumë opsione. Me një repart defansiv prej tre mbrojtësve, ke dy mundësi, një me Kyle Walker dhe një pa të. Nëse dëshiron që ta fillosh ndeshjen me Walker, do të ishte problem i madh për Gosens, sepse ai është shumë i shpejtë dhe i palodhshëm. Më pas, treshja e mbrojtjes do të jetë Stones, Maguire dhe Mings. Kurse në krah të majtë, në sistemin me tre mbrojtës, do të zgjidhja Luke Shaw, sepse mendoj që Ben Chilwell nuk do të jetë në formën e tij më të mirë. Mesfushën do ta zgjidhja, Phillips dhe Rice, duke i ndihmuar nga pas treshes Grealish, Sterling dhe Kane”, tha trajneri portugez.
Mourinho u pyet edhe rreth rezultatit të ndeshjes, ku tregoi favoritin e tij për të fituar sot.
“2:1 për Anglinë. Do të pranojnë gol të parët, më pas do të barazojnë e në fund edhe të fitojnë, me Harry Kane si golashënues. Mendoj që sot do të jetë dita e Kane”, u përgjigj Mourinho.

Back to top button