MPB: Dhjetë zyrtarë policorë u ndaluan nga Serbia

Dhjetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë në mesin e të ndaluarve në kalimet kufitare Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë e Serbisë, kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Sipas Ministrisë, pesë janë liruar e pesë të tjerë janë në mbajtje ende.

“Institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta për të sqaruar situatën e krijuar por nga ato që posedojmë deri tash, në ndalim kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serb) të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. 5 nga ta janë liruar ndërsa 5 ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe Zëvëndësdrejtorin Jankovic”, ka njoftuar MPB.

Ministria ka theksuar se që pas miratimit nga Asambleja Parlamentare të raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, automjetet me qytetarët e Kosovës janë vënë në shënjestër të autoriteteve serbe.

MPB-ja ka bërë të ditur se pa ndonjë sqarim nga autoritetet serbe, nga mëngjesi po mbahet edhe zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq. Sipas informacioneve të MPB-së, Jankoviq është dërguar në Rashkë “dhe duke njohur këtë praktikë të përsëritshme të Serbisë ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policor, i njëjti intervistohet nga akterë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë”.

Back to top button