MPB-ja për zbatimin e Ligjit për të Huajt: Nga e hëna nisin aplikimet për lejeqëndrim

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, pas periudhës informuese të paraparë deri me 15 mars dhe se nga data 16 mars mund të fillohet me aplikime për lejeqëndrim apo lajmërim të adresës.
Përmes një komunikate për media, MPB-ja thotë se kjo po bëhet në përputhje me deklarimet e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të BE-së Peter Sorensen.
Gjithashtu, në kuadër të këtij procesi, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se do të nxjerrë aktet e nevojshme administrative për mundësimin e regjistrimit, për një periudhë tre mujore, të fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes të regjistruara deri më 15 mars 2026 në institucionet jolegale paralele serbe, me qëllim integrimin e tyre në Regjistrit Civil të Republikës së Kosovës.
Njoftohet se Ministria do të nxjerrë vendimet e nevojshme administrative për njohjen e përkohshme të kartës së identitetit të lëshuar nga strukturat jolegale paralele serbe, ekskluzivisht për qëllime identifikimi, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, përfshirë Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) dhe Policinë e Kosovës, do të ofrojë të gjitha informatat dhe udhëzimet e nevojshme për qytetarët që preken nga këto vendime. Njëkohësisht, Ministria do të përgatitet për fillimin e lëshimit të lejeqëndrimeve të përkohshme pas pranimit të listave të punëtorëve në sistemin shëndetësor dhe të arsimit nga komunat dhe pas aplikimit individual të këtyre personave, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Gjithashtu, Ministria njofton të gjithë shtetasit e huaj se deklarimi i adresës brenda tre (3) ditëve nga hyrja në Republikën e Kosovës është obligim ligjor dhe mund të bëhet përmes aplikacionit për deklarimin e adresës, i cili mund të përdoret nga telefonat me sistem Android, iOS dhe përmes ueb-it të Policisë së Kosovës, si dhe stacionit më të afërt policorë”, thuhet në njoftim.