MPB-ja serbe: Policët u arrestuan në Rashkë të armatosur deri në dhëmbë

(Lajm i përditësuar)


Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka thënë se policët e Kosovës kanë qenë të “armatosur deri në dhëmbë”.

“Të tre të arrestuarit kanë qenë me mjete të plota ushtarake, të armatosur me tri pushkë automatike, municion, pajisje GPS, harta dhe pajisje të tjera”, ka thënë Zeljko Brkiq, sekretar në MPB në një konferencë të jashtëzakonshme për media, raporton B92.

Siç pretendon ai, ata janë arrestuar në fshatin Gnjilicë të komunës së Rashkës, më shumë se një kilometër thellë në territorin e Serbisë.

“Theksoj se Republika e Serbisë është një vend serioz dhe se pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në asnjë moment nuk kanë kaluar, nuk kanë qenë afër vijës administrative dhe për këtë arsye nuk e kanë shkelur rezolutën 1244”, tha Brkiq.


Petkoviq: Xhandarmëria serbe ka arrestuar tre policë të Kosovës në komunën e Rashkës

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.

Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet R.Z, B.S dhe M.Sh.

“Ata u arrestuan në orën 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica në afërsi të Rashkës”, tha Petkoviq gjatë një konference për media në Beograd.

Policia e Kosovës tha më herët se tre zyrtarë të saj policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga trupat serbe “thellë brenda territorit të Kosovës”, në afërsi të vijës kufitare në komunën e Leposaviqit.

“Dëshiroj të theksoj se pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk kanë shkelur as rezolutën 1244 [të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara] dhe as marrëveshjen ushtarako-teknike [Marrëveshja e Kumanovës] për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative. Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, tha Petkoviq.

Petkoviqi hodhi poshtë deklarimin e autoriteteve në Kosovë, se policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.

“Ata nuk u rrëmbyen, por u gjetën thellë në territorin e Serbisë qendrore”, tha Petkoviq.

Sipas tij, Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme.

Radio Televizioni Serb (RTS) njoftoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është informuar për arrestimin e policëve të Kosovës gjersa ndodhej në Ambasadën ruse në Beograd, ku po merrte pjesë në një pritje me rastin e Ditës së Rusisë.


Petkoviq: Hetimi do të tregojë se cili ka qenë plani i tre policëve të Kosovës

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, në një konferencë për media tha se hetimi do të përcaktojë sipas tij “planin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës” që u rrëmbyen sot në Leposaviq.

“Ata u penguan të kryenin një krim të rrezikshëm”, pretendon Petkoviq./21Media

Back to top button