Kusari-Lila për kidnapimin e policëve: Shtrirje e ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje(LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar lidhur me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës nga policia serbe.

Kusari-Lila ka thënë se kjo është një shtrirje e ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë pas ngjarjeve në veri.

“Tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer sot brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Kjo është një shtrirje e ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë pas ngjarjeve në veri. Vetëm agresori në këto ngjarje të dhunshme banon në Beograd dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë në përputhje me rrethanat”, ka shkruar Kusari-Lila në Twitter.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha sot se tre pjesëtarë të policisë së Kosovës janë kidnapuar nga Serbia brenda territorit të Kosovës.

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare. Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, shkroi Sveçla në Facebook.

Sveçla kërkon nga faktori ndërkombëtar që të rrisë presionin ndaj Serbisë, në mënyrë që të lirohen të kindapuarit dhe të ndalë provokimet./21Media

Back to top button