MPJ: Prej Evias, të dielën janë evakuuar 38 shtetas të Maqedonisë së Veriut

Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se 38-të nga 39-të turistët që janë shtetas të Maqedonisë së Veriut u larguan në mënyrë të sigurt të dielën nga ishulli grek Evia, ku po mbizotërojnë zjarret pyjore, ndërsa një mbeti dhe ndodhet në pjesën jugore të sigurt të ishullit.
“Ambasada e Republikës së Maqedonisë të Veriut në Athinë kontaktoi me disa operatorë turistikë nga Republika e Maqedonisë e Veriut që operojnë në territorin e Republikës së Greqisë dhe ata kishin aranzhime për ishullin Evia. Sipas informacioneve, të dielën, më 8 gusht, në ishull ishin të pranishëm 39 turistë nga Maqedonia e Veriut. Dhe 38 prej tyre janë larguar në mënyrë të sigurt nga ishulli, dhe janë riorientuar në vendpushimet e tjera ose marrëveshja e tyre ka përfunduar dhe janë kthyer në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa një nga qytetarët tanë, i cili mbeti në ishullin Evia ndodhet në pjesën jugore të ishullit Evia (aktualisht një vend i sigurt). Ndryshe, Ambasada ka kontaktuar me personin dhe për momentin nuk ka rrezik nga zjarri në pjesën ku po akomodohet”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Përfaqësitë diplomatiko-konsullare të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Greqi përmes rrjeteve sociale, thuhet në kumtesën e MPJ-së, me kohë kanë dërguar apel deri te shtetasit e Maqedonisë së Veriut për kujdes gjatë udhëtimit ose qëndrimit në Greqi për shkak të situatës me zjarret, ndërsa gjatë nevojës eventuale, t’i kontaktojnë Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Athinë (+30 694 52 82 251, +30 695 51 91 321, +30 694 47 43 071, +30 210 67 49 585) dhe Konsullatën e përgjithshme në Selanik (+30 698 72 00 410).
“Përfaqësitë tona në Greqi janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet tona kompetente dhe për të gjitha informatat e marra, me kohë do të informohet opinioni”, thuhet në njoftimin e MPJ-së./TV21

Back to top button