MPJD refuzon kërkesën e Petkoviqit për vizitë në Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë drejtorit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Refuzimin e kërkesës për vizitë dy ditore në Kosovë, e kanë bërë të ditur për KosovaPress edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD).
“MPJD-ja nuk e ka aprovuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën në datat 2-3 dhjetor 2021”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së .
Kujtojmë se më 27 nëntor, Serbia ka refuzuar kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës të katër ministrave të Qeverisë Kurti, të cilët donin të vizitonin shqiptarët atje për nder të festës kombëtare të 28 Nëntorit.
Nga Serbia, na refuzohet pa arsye kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në momentin para nisjes.
“Duke filluar nga sot, bashkë me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë. Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin. Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike. Refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, pati shkruar Aliu. /kp

Back to top button