MSh: S’kemi ndërprerë kontrata, ato kanë përfunduar

 
Rreth 360 infermierë që ishin punësuar për nevoja të pandemisë, kanë protestuar para Klinikës Infektive.
Atyre nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë pasi kjo e fundit ka thënë se ka mungesë të fondeve.
Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se nuk ka bërë ndërprerjen e kontratave të këtij stafi, por se të njëjtat kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që kanë pasur.
“MSh informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë me datë 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim”, thuhet në komunikatë.
Sipas Ministrisë angazhimi i stafit mjekësor dhe operacional është bërë duke u thirrë në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës, i cili lejon angazhim të përkohshëm për nevoja urgjente.
“Situata aktuale epidemiologjike tani është shumë më e qetë dhe të dhënat nga raportet ditore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tregojnë se numri i pacientëve me COVID-19, aktualisht në trajtim është shumë më i vogël se në kohën e angazhimit të këtij stafi, një pjesë e të cilit kanë qenë të angazhuar jo në shërbime mjekësore, por në administratën e MSh-së”, thuhet tutje.
Sipas raportit të 24 orëshit të fundit, në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme të vendit janë gjithsej 77 pacientë në trajtim (për COVID-19), prej të cilëve të konfirmuar me COVID-19 janë gjithsej 28 pacientë./21Media

Back to top button