MTI dhe KIESA nderojnë top ndërmarrjet e vitit

Thaçi: Zotohem se nuk do të ju trajtojmë vetëm si tatim pagues

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë-KIESA kanë ndarë mirënjohje për top ndërmarrjet konkurrente të vitit 2017.

Mirënjohjet janë ndarë për kategorinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ku këto mirënjohje janë ndarë për 21 kompani për shtatë regjione të Kosovës.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi, është zotuar që të gjitha këto ndërmarrje nuk do t’i trajtojnë vetëm si tatimpagues, por si partner të përbashkët drejt zhvillimit ekonomik.

“Zotohem para jush që neve si Qeveri aktuale dhe si kabinet qeveritar nuk do t’iu trajtojmë vetëm si tatimpagues, por do t’iu trajtojmë dhe do t’iu njohim si partner i përbashkët i rrugëtimit të përbashkët drejt zhvillimit ekonomik. Mirënjohjet që po iu ndajmë janë simbolike për juve, sepse ju meritoni më shumë, ju meritoni përkrahje më të madhe dhe ju garantojmë që vitin e ardhshëm do t’i shihni edhe ju. Ju veç i keni parë aktivitetet e kësaj Qeverie, por vitin e ardhshëm do t’i shihni aktivitetet tona konkrete ndaj mbrojtjes së prodhimeve të brendshme, njëkohësisht edhe bizneseve dhe prodhuesve të brendshëm të Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i KIESA  Besian Mustafa, bëri të ditur se këtë vit kanë vendosur që të krahasojnë kompanitë në nivele regjionesh dhe kështu kanë nxjerrë top ndërmarrjet ë vogla dhe të mesme për shtatë regjione.

“Deri në vitin e kaluar ne kemi ndarë vetëm tri mirënjohje për top ndërmarrjet mikro në nivel të Kosovës, top ndërmarrjen e vogël dhe top ndërmarrjen e mesme në nivel të Kosovës. Mirëpo, natyrisht nuk është e drejtë ose nuk është ferr që të krahasojmë kompanitë e një regjioni me kompani të tjera, sepse natyrisht disa regjione janë më të zhvilluara se të tjerat dhe nuk është ferr që të kemi një krahasim të tillë. Andaj, sivjet kemi vendosur që të krahasojmë kompanitë në nivele regjionesh, kemi shtatë regjionet në Kosovë e kemi krahasuar kompanitë e një regjioni me kompani të tjera dhe në këtë mënyrë kemi nxjerrë edhe top ndërmarrjet mikro, top ndërmarrjet e vogël dhe top ndërmarrjet e mesme për shtatë regjione”, tha Mustafa.

Ndërmarrjet që kanë marrë mirënjohje nga MTI dhe KIESA janë nga regjioni i Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit, Gjakovës dhe regjioni i Pejës.

Back to top button