Mulliri i ujit i vjetër dy shekuj në Mitrovicë

Vetëm dy kilometra nga qyteti i Mitrovicës në drejtim të Stantërgut, përkatësisht në fshatin Rekë, gjendet mulliri i ujit i vetmi në këtë regjion, për të cilin thuhet se daton më shumë se dy shekuj.

Nga dhjetëra mullinj me ujë që dikur punonin në këto anë, tashmë ka mbetur vetëm një, i cili përveç kërkesës së qytetarëve për miell të misrit, ka mbetur edhe si një relikt i një kohe të vjetër që zgjon kërshërinë e vizitorëve.

Si pasuri vlerash dhe bartëse e kujtesës historike, ky objekt që nga viti 2018, u bë pjesë e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Sefedin Osmani, njëri nga trashëgimtarët e këtij mulliri, i cili ende vazhdon ta ruaj traditën familjare dhe punën këtu, rrëfen se mulliri i vjetër mbi 200 vjet është trashëgim nga të parët.

Sipas tij, bërlloku të cilin po e hedhin në lumë qytetarët e pandërgjegjshëm, është problem më i madh me të cilin po ballafaqohet gjatë punës këtu.

Ai tha se uji që ndihmon funksionalizimin e mullirit, rrjedhë nga miniera e Trepçës në Stantërg dhe është i pashtershëm.

Trashëgimtari i mullirit, shprehet i bindur se punën nuk do ta ndalë deri sa ta ketë shëndetin, ndërsa thotë se pjesët të cilat ndihmojnë prodhimin e miellit janë të cilësisë së lartë dhe shumëvjeçare.

Ai ka përmendur cilësinë e kësaj buke, duke thënë se është jashtëzakonisht e shëndetshme, sidomos kundër diabetit, obezitetit etj.

‘Është trashëgim i gjyshërve, babgjyshit, katragjyshit, babait tim. Ky është një mulli i vjetër mbi 200 vjet. Babai ka jetuar gati 100 vjet, 98 vjeçar e gjysmë ka vdekur, ka punuar në këtë mulli. Ma ka lënë mua dhe unë tash po mundohem me mbajt. Misër bluajmë, grurë ngapak. Vështirë është me mbajt sepse bërlloku na ka ardhur deri në fyt, problemin më të madh e kemi me bërllokun. Ky ujë është i pashtershëm sepse është i minierës dhe mos me qenë miniera ky ujë nuk do të ekzistonte. Por, falë Zotit që është miniera, edhe uji del nga miniera në Tunelin e Parë, dhe ne e shfrytëzojmë vetëm për mulli sepse me ujitë me të nuk bënë, është me xehe i minierës, por për mulli nuk i pengon, kështu që e kam afër, në shtëpi, edhe punoj dhe nuk e lë këtë punë deri sa të më punojnë këmbët. Kush donë me trashëguar e trashëgon, kush nuk donë, me zor nuk mbahet. Këtyre here thonin mulli ka qenë mesele me mbajt, sepse nuk është lehtë… Kur e përmendi bërllokun e kam fjalën për mbeturinat të cilat po i hedhin qytetarët tanë në lumë…Tash bërlloku më vjen këtu, tash që niveli i lumit u rritë pak, beso gjysmë dite kaloj duke hequr qese, karrige e gjithçka… Ky zanat pa idare nuk të len kurrë. Ai që do me punu idare ka gjithnjë, sepse mulliri sa të ka njerëz, ka me ju deshtë gjithmonë njerëzve… Kjo këtu është bio krejt, misri është i mirë, edhe gruri…”, tha ai.

Osmani potencoi sinqeritetin dhe punën e ndershme, në bazë të së cilës, siç u shpreh ai, njerëzit vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës për të blerë miell tek ai.

“Kështu që e hamë bukën e zezë… e shëndetshme gjithsesi. Njerëzit vijnë që kanë nevojë për sëmundje të sheqerit, dietë me u dobësu, sepse këtë bukë nuk mundesh me hëngër shumë, por është kualitet, ka vitamina, nuk ka aditiv… Edhe gurët që bluajnë janë të mirë, janë të Majdanit, edhe gati 100 vjet i ka ky guri…. Njerëzit vijnë prej gjithandej, Prishtinë, Vushtrri, prej Fushë Kosovës, Podujevës, prej Mitrovicës gjithsesi, sepse mua më njohin, që 40 vite e punoj këtë profesion… Djali më ndihmon nga pak, idare po bëhemi, të gjitha janë, ai që do me punu ka gjithnjë punë, ai që s’do, s’mundet me mbajt. Nëse s’ke merak, këtë s’mundesh me mbajt… Unë një herë mundem me të mashtru, jo më shumë. Kështu që kam myshterinj që 40 vjet tjetërkund nuk merr miell, veç këtu. Por, mundohem sikur për vete… Kur është uji i kthjellët, nuk hedhin mbeturina, për dhjetë orë i bluaj 400-450 kilogramë… Pas jetës time nuk di çka bëhet, ndoshta e mban djali, nëse ka leverdi e mban, sepse nuk është lehtë me mbajt… Në këtë rrethinë nuk ka askush mulli… Prej vitit 2018 ky objekt është pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës, por deri tash shteti nuk ka investuar asgjë, tash e pas çka bëhet nuk e di”, ka thënë Osmani./kp

Back to top button