Mungesa e barnave dhe materialit shpenzues në QKUK

“Klinikat e Qendrës Klinike universitare të Kosovës vazhdojnë të përballen me mungesë të materialit shpenzues dhe barnave. Madje në disa klinika mungojnë edhe penjtë për operacion”.
Megjithëse për këtë vit për barna dhe material shpenzues Minsistria e Shëndetësisë ka ndarë 60 milionë euro, mungesat janë evidente që nga barnat e ndryshme, penjtë e deri tek letra higjienike.
Pacientët dhe familjarët e tyre shprehin shqetësim për mungesën e vazhdueshme të materialit shpenzues dhe barnave duke thënë se po detyrohen t’i blejnë vetë edhe gjërat më elementare për mjekim.
“Kjo është shumë shqetësuese dhe shumë na dëmton sepse çdo gjë po duhet me shku me ble vet dikush ka, dikush s’ka…por fatkeqësia më madhe është tek ata që s’kanë se vdes njeriu se s’ka mundësi me shku me ble do penj….”
“Mos u bofsh me ardhë hiç në spital që dy jave jam me djalin duke u end poshtë e lartë. Ilaçet 70-80 euro krejt duhet me i ble inshallah s’bohet me ardh kush këtu”.
“Është shumë keq në këtë situatë këtë kohë me ndodh te na se shek 21 mos me i pasë këto është keq”.
Shqetësim për mungesën e barnave dhe materialit shpenzues shpreh edhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.
Sipas saj këto mungesa janë pasojë e një organizimi jo të drejtë të institucioneve shëndetësore.
“….Normale do te duhej qe SHSKUK te jete e decentralizuar. Padyshim qe është shqetësuese sepse pacienti ka paguar taksa dhe don qe ai ti kthehet ne shërbim dhe ai po tatohet dyfish tash duke blere barna për te rikuperuar shëndetin e vetë”, tha Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.
Për anëtarin e Komisionit parlamentar të Shëndetësisë nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, mungesat e tilla janë dëshmi se shëndetësia nuk është prioritet i qeverisë.
“Mendoj se shëndetësia asnjëherë s’ka qene ne pozicion me te keqe se sa sot. Sot jemi ne situate kur vërtetë ka nevoje për një dore te forte te shtetit dhe me u hetu ndikimi i shtetit”, tha Dreshaj.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës në një përgjigje për RTV21 tha se janë duke bërë vazhdimisht porositë për material shpenzues dhe barna për tremujorin e parë të këtij viti.
“Furnizimi me barna dhe material shpenzues është duke vazhduar në baza ditore, për të gjitha njësitë e ShSKUK-së. Po ashtu, Shërbimi Klinik Farmaceutik ka proceduar kërkesat urgjente për furnizim nga njësitë. Sa i përket penjve kirurgjik, lënda është në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publike, por duke pasur parsysh nevojat urgjente, ShSKUK-ja, ka lidhur kontratë për furnizim me penj urgjent- jetik dhe të domodoshëm, të gjitha njësitë janë furnizuar me penj kirurgjik për nevoja urgjente dhe ka në stok edhe për 1 muaj për raste urgjente. Duhet ta theksojmë se Klinika Emergjente, Mjekimi Intensiv Qendror dhe sallat e operacionit furnizohen me prioritet dhe janë të furnizuar edhe me doreza. Në ditët në vijim njësitë do të furnizohen edhe me artikujt e tjerë që janë në mungesë, e për të cilat është bërë porosia dhe jemi në pritje që të sjellen produktet”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Nga 198 milionë euro sa ishte në vitin 2022, buxheti për shëndetësinë gjatë këtij viti është 296 milionë euro./21Media

Back to top button