Murati ankohet për trajtim diskriminues nga BE-ja në konferencë të donatorëve

Ministri i Financave dhe i Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se e pati të pamundur pjesëmarrjen në një konferencë të donatorëve në Bruksel, për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe në Siri.

Ai ka thënë se organizatori i këtij eventi ka qenë shkaku i mospjesëmarrjes, duke shtuar se ai nuk e ka pranuar përfaqësimin e Kosovës pa fusnotë.

Murati në Twitter, ka thënë se Kosova donte të kontribuonte, por iu pamundësua pasi “çasja e organizatorit ishte shumë jokorrekte”.

“U desh t’i ndërroja tre aeroplanë për të arritur sot në Bruksel për të marrë pjesë në konferencën e donatorëve në mbështetje të njerëzve në Turqi dhe Siri të prekur nga tërmetetet shkatërruese. Qeveria e Kosovës dëshiron të zotohet për mbështetje financiare dhe të jetë pjesë e gjithë përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar. Fatkeqësisht, vendi im nuk mundi të merrte pjesë dhe të kontribuonte për shkak të trajtimit jokorrekt dhe diskirminues nga organizatori, që insistoi në përdorimin e fusnotës në kundërshtim me marrëveshjen fillestare të Brukselit dhe frymën e konferencës së sotme”, ka shkruar Hekuran Murati në Twitter.

Back to top button