Murati: Deri tani kemi alokuar 60 milionë euro për rrymë

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është duke u intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Murati në komisionin hetimor për energjinë tha se deri tani kanë alokuar 60 milionë euro nga subvencionim për energjinë. Ai pohoi se 90 milionë euro ka qenë premtimi.
“Si Ministri e Financave ndarjen buxhetore e kemi bërë. Shuma e ndarë deri më tani në kuadër të zotimit prej 90 milionë euro është 60 milionë euro deri tani shuma e alokuar në Ministrinë e Ekonomisë. Janë bërë dy alokime, alokimi i parë ka qenë ndarja prej 41 milionë euro dhe alokimi i dytë është prej 19 milionë euro”, tha Murati.
Gjatë raportimit deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala i ka drejtuar pyetje Murati duke kërkuar sqarime për ndarjen e subvencionit të zotuar për krizën energjetike.
Murati pohoi se mjetet shtesë të zotuara që ju kanë ndarë KESCO-s për subvencionim, janë vonuar.
“Shteti i del zot çdo zotimi që e ka. Çka kam thënë atëherë është se na nevojitet gjetja e metodologjisë. Përmbushja e zotimit ka afat deri më 31 mars. Çdo zotim do të përmbushet që e ka dhënë qeveria”, u shpreh ai.
Murati po ashtu se si shtet është fat i madh, që po tejkalohet më së liri dhe lehti në rajon kjo krizë me energji elektrike. Sipas tij të gjitha shtetet tjera fqinjë, kanë ndarë buxhetin më të lartë për këtë çështje. Ai shtoi se Kosova ka arritur të mbajnë tarfiat më të ulëta se shtetet tjera./21Media

Back to top button