Murati dorëzon kallëzim penal për shpronësimet e rrugës Kijevë-Zahaq

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq, për të cilën raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej mbi 12 milionë eurove.
Sipas një komunikate të ministrisë, për qëllime të këtij projekti ishte paraparë shpronësimi i 1,059 pronave, prej të cilave 858 ishin prona private, 148 prona shoqërore dhe 53 prona të privatizuara nga procesi i privatizimit.
“Të gjeturat e auditorit shpërfaqin shkelje të shumta në këtë proces, duke u nisur nga mungesa e buxhetimit të mjeteve që është kërkesë ligjore, e deri tek mos-respektimi i kritereve dhe procedurave të vlerësimit. Mirëpo më kryesorja që duhet të theksohet është shpërputhja e vlerave në mes të tabelës së vlerësimit të dorëzuar fillimisht nga Departamenti i Tatimit në Pronë tek asokohe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datë 17 maj 2019, dhe vlerave në tabelën e miratuar nga Qeveria me datë 17 dhjetor 2019. Bazuar në tabelat e Departamentit të Tatimit në Pronë, segmenti në fjalë është vlerësuar me shumën prej 31,040,729 euro. Pas këtij vlerësimi, më 17 dhjetor 2019 Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka proceduar propozim-vendimin në Mbledhje të Qeverisë për të miratuar shpronësimin e pronave të këtij segmenti mirëpo me tabela tjera, e që për parcelat e njëjta në total kapin shumën për shpronësim prej 43,462,518 euro. Në krahasim me vlerësimin e dorëzuar nga DTP, shuma e miratuar nga Qeveria paraqet një dallim prej mbi 12 milionë euro shtesë në vlerësim. Ky dallim vie për shkakun se për disa parcela me pronarë specifikë, në tabelat e miratuara nga Qeveria që dallojnë nga vlerësimi fillestar, është bërë dyfishimi i vlerës së shpronësimit duke rezultuar kësisoj në fryrje të kostos së përgjithshme të shpronësimit, dhe potencialisht në dëmtim të buxhetit”, thuhet në komunikatë.
MFPT thekson se në linjë me prioritetet e Qeverisë, do të vazhdojë punën në mënyrë transparente e llogaridhënëse për të krijuar një sistem të qëndrueshëm e të besueshëm të menaxhimit të financave publike.

Back to top button