Murati e përqesh raportin e GAP-it për ndarjet buxhetore, e quan “dembeli intelektuale”

Gjatë shqyrtimit në lexim të dytë të Projektligjit për Buxhetin 2023 në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa, AAK ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati për shkurtimin e buxhetit për komunat të udhëhequra nga ky subjekt.
Këtë konstatim të deputetit të kësaj partie, Besnik Tahirit e ka hedhur poshtë ministri Murati.
Ministri i Financave, theksoi se nuk është prekur asnjë shifër e buxhetit komunal
“Të gjitha komunat ashtu siç e kanë dorëzuar buxhetin janë integruar në projektligjin e ndarjeve buxhetore për vitin 2023, dhe asnjë komune nuk i është prekur asnjë shifër. Kështu që jemi në përputhje të plotë me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike për sa i përket dizajnit të buxhetit”, tha ai.
Shefi i GP të AAK-së, Tahiri nuk u ndal me kaq, ai i rekomandoi ministrit Murati që t’i referohet raportit të Institutit GAP mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023.
“Ti, 58 për qind të buxhetit komunal ia përcakton qeveria qendrore, edhe në këto 15 për qind po dëshiron me ua marrë. Nuk është kështu. Shikoje more, raportin e institutit GAP, 1 për qind investime kapitale në komunat e AAK-së, 52 për qind të VV-së”, tha Tahiri.
Ndonëse, raportin e fundit të GAP, ministri Murati e përqeshi dhe e quajti “dembeli intelektuale”.
“Prapë je i pasaktë, e dinë edhe ti. Dembeli intelektuale është ai raport. Për 12 milionë është bërë ajo analizë në kuadër të 830 milionëve”, theksoi Murati.
Instituti GAP ka publikuar një analizë të Projektbuxhetit për vitin 2023.
Në analizë është konkluduar se problemet që e kanë ndjekur realizimin e buxhetit ndër vite janë përsëritur edhe në planifikimet për vitin 2023.

Ato probleme GAP thotë se janë dinamika e ulët e realizimit të investimeve kapitale, mosndërlidhja e buxhetit me planifikimet afatmesme dhe afatgjate, përdorimi i madh i linjave buxhetore pa destinim konkret, neglizhimi i perspektivës gjinore.
Kuvendi ka miratuar në parim Projektligjin për Buxhetin 2023 në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro.
Back to top button