Murati i përgjigjet Bajramit: Zbritjen e tatimit do ta përfshijmë në ligjin e ri

(Lajm i përditësuar)
Ministri i Financave, Hekuran Murati, iu ka përgjigjur deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila publikoi një letër në të cilën Ministria e Financave iu përgjigj një komune se komunat s’kanë të drejtë të falin tatime.
Murati ka thënë se propozimi i tij që të bëhet zbritje e tatimit në pronë deri në 100 euro për faturën e vitit 2023, do të përfshihet në ligjin e ri.

Murati tutje ka shtuar se qëndrimet e tij janë të njëjta me ato të Departamentit Ligjor të MFPT-së. Ai ka thënë se javën tjetër do të nisin procedurat për projektligjin e ri.
“Atë çfarë kam thënë unë, e ka thënë edhe Departamenti Ligjor i MFPT-së:
– që dispozitën për zbritjen e tatimit në pronë deri në 100 euro për faturën e vitit 2023 do ta përfshijmë në ligjin e ri”, ka shkruar Murati në Facebook.

 
Bajrami: Komunat s’kanë të drejtë të falin tatime
Ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati, ka propozuar që komunat t’ia falin 100 eurot e para secilit tatimpagues.
Kurse, sot deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se kjo gjë s’mund të ndodhë sepse komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime. Propozimin e Muratit, thotë ajo, e hedh poshtë ministria e tij ndërkohë që ka publikuar një shkresë të MF-së drejtuar një kryetari komune për këtë çështje.
“Komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime – propozimin e Muratit e hedhë poshtë ministria e tij. Çdo ditë po e dëshmojnë se janë Qeveri praktikantësh”, ka shkruar Bajrami.

“Pas shqyrtimit te kujdesshëm të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (në tekstin e mëtejmë: LTPP), ju informojmë se legjislacioni aktual nuk autorizon komunën për falje të pagesës së tatimit në pronë. Në kapitullin e VI të LTPP-së evidentohet se pagesa e tatimit në pronë është e detyrueshme. Më tej, ky kapitull përmban edhe autorizime për shtyrje të pagesës por jo edhe të faljes. Andaj, vlerësojmë se për një falje të tillë, duhet një akt juridik që ka fuqinë juridike të ligjit. Për qëllime ilustrimit, një situatë e ngjashme ishte adresuar përmes miratimit të Ligjit Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike, ku u miratua një ligj i cili ka autorizuar shprehimisht faljen e borxhit”, thuhet në shkresë./21Media
Back to top button