Murati-Lushtakut: Çmimi i vajit ka rënë o Mërgim

(Lajm i përditësuar)

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, e ka replikuar deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtakun, i cili pati kritika për punën dy vjeçare të këtij dikasteri.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Murati tha se vazhdimisht janë duke u thënë gjëra që janë të pasakta sa i përket indikatorëve ekonomik.

“Çmimi i vajit ka ra Mërgim, çmimi i grurit është në nivelet më të ulëta historikisht. Përkundër sfidave globale me krizën energjetike, me luftën ne Ukrainë dhe inflacionin, kemi arritur të rrisim nivelin ekonomik në 3.51 për qind rritje reale. Kjo është rritje më e lartë se në vitin 2012, kjo është rritje më e lartë se në vitin 2014, si dhe më e lartë se në vitin 2018, në asnjërën prej këtyre viteve nuk ka pasur kriza globale”, ka thënë Murati

Lushtaku: Albin, kërkoju falje qytetarëve, mos u fsheh pas luftës në Ukrainë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, e ka kritikuar punën dy vjeçare të Qeverisë Kurti.

Ai i bëri thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, që t’iu kërkojë falje qytetarëve, pasi sipas tij, është duke ua vështirësuar jetën.

“Albin, kërkoju falje qytetarëve sepse nuk mund të fshihesh gjatë gjithë mandatit me luftën në Ukrainë. Tek ne po vazhdon rritja e çmimeve me gjërat jetike, kur kësaj i shton edhe rrëmujën e shkaktuar me Ligjin e Pagave. Po bëni lojë me durimin e njerëzve të cilët kanë borxhe, kredi dhe si rezultat kanë vështirësi për të jetuar me një kosto të jetës mbi 50 përqind. Kjo qeveri me paditurinë e saj për politikat e mirëfillta, për zhvillim ekonomik, me paditurinë e saj për të hartuar plane sesi duhen të reagojë në situata të vështira, ka shkaktuar pasiguri dhe frikë tek qytetarët si do të jetë e nesërmja për ata”, ka thënë Lushtaku.

Back to top button