Murati: Mbi 16 mijë familje kanë aplikuar deri tash për subvencionim të faturave të rrymës

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se mbi 16 mijë familje kanë aplikuar deri tash për subvencionim të faturave të energjisë elektrike.

Murati ka thënë se aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të shtatort, derisa ka inkurajuar të gjitha familjet që kanë të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar, që të aplikojnë.

“Aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator, dhe mund të bëhet online në formularin: https://see.rks-gov.net Inkurajohen të aplikojnë të gjitha familjet që kanë të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar. Në veçanti, inkurajohen që të aplikojnë familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, që janë prindër vetushqyes, apo që janë pensionistë që jetojnë vetëm e pa përkujdesje”, ka shkruar Murati.

Kush mund të përfitojë?

Të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim. Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë.

Nëse një familje 4-anëtarëshe ka 300 euro të ardhura mujore, mund të përfitojë gjysmën subvencionit, pra 450 kËh/vit për anëtar. Nëse familja nuk ka fare të ardhura, atëherë mund të përfitojë subvencionin e plotë prej 900kWh për anëtar. Me fjalë tjera, sa më pak të ardhura të ketë familja, aq më e lartë është vlera e subvencionit, e që mund të shkojë deri në 900kWh/vit/anëtar.

Aplikimi mund të bëhet në këtë link https://see.rks-gov.net. /21Media

Back to top button