Murati: Në RTK janë rreth 100 paga më të larta se paga e një ministri

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se rreth 100 punonjës në televizionin publik marrin paga më shumë se paga e një ministri.
“Ndoshta edhe e dini që në RTK janë rreth 100 paga të cilat janë më të larta se paga e një ministri. Kemi kursime rreth 2 milionë euro nga AKP-ja nga ulja e pagave, që e kemi shfrytëzuar për rekrutime në FSK nga AKP. E njëjta gjë mund të bëhet edhe nga RTK-në. Nëse RTK i ka 100 persona që marrin me shumë se paga e ministrit, kjo për mua nuk është në rregull. Konsideroj që një buxhet i tillë është më se i mjaftueshëm për RTK-në duke marrë parasysh nivelin e pagave që kemi në vend”, ka thënë Murati.
Zvogëlimi i buxhetit të televizionit publik për 2.2 milionë nga Qeveria e Kosovës për vitin 2022 ka ngjallur reagime tek opozita.
Deputetit i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se RTK-ja mund të falimentojë me shkurtimin e buxhetit.
“Tek pagat në sektorin publik, cili është projeksioni dhe kur pritni që të miratohet Ligji I pagave, edhe a është buxhetuar rritja e pagave që buron nga ky ligj… Tek ndërmarrjet publike ka pasur nga ana juaj akuza bukur të rënda vazhdimisht për rrjedhje financiare, tash i keni ndal ato rrjedhje apo? I keni ndërruar krejt bordet dhe tash i keni nën kontroll të plotë. Tash kemi prapë një 12 milionë euro subvencione për NP-të. Jeni para për ndërmarrje publike… E keni shkurtuar buxhetin për RTK-në rreth 2 milionë euro. Cili është plan nga do të kompensohet këtë 2 milionë? Dhe nëse e zvogëlojmë këtë ne praktikisht e falimentojmë mediumin publik”, ka thënë Hoti./21Media

Back to top button