Murati për ndalimin e kriptovalutave: Po kursejmë xhepin e qytetarit

Vendimin e Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave e ka komentuar edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se është për të kursyer xhepin e qytetarëve.
Murati tha se vendimi është nga Komiteti për Energji, që sipas tij, është i duhur duke e marrë parasysh krizën energjetike.
“Çdo kilovat që konsumohet përtej asaj që prodhohet, importohet me çmime enorme. Importi kemi pasur një rast që ka shkuar në 500 euro për megavat në orë, e që i bjen 50 centë për KW/h, që domethënë 50 cent duhet me pagu importin, kurse konsumatori e në këtë rast mihja për kriptovalutë, e paguan 7 cent”, tha Murati në një konferencë për media.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të anulojë veprimtarinë e prodhimit të kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente të energjisë në Kosovë.
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Mund të keni dëgjuar tashmë për versionet më të popullarizuara, Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.
Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme. Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet të bëni hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem./21Media

Back to top button