Murati përplaset me Haradinajn për energjinë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, sot u përplas verbalisht me deputetin e Alaeancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Në seancën plenare, Murati i quajti të pavërteta pretendimet e Haradinajt se refuzimi i dy projekteve energjetike, Contour Global dhe gazsjellësit e kanë lënë Kosovën pa zgjidhje për energjinë. Ai tha se dy projektet edhe po të ishin nënshkruar në krizën e tanishme do të ishin në procedurat fillestare dhe s’do të kishin asnjë rol.
Murati kërkoi nga Haradinaj që përmes kritikave të pavërteta mos t’i bëjë favore Contour Global-it në raport me arbitrazhin dhe padinë në arbitrazh. “Kurse sa i përket çështjes së energjisë elektrike ka të pa vërteta edhe sa i përket Contour Global dhe gazit. Në lidhje me të parën, e kam vërejtur që tashmë disa herë insiston në atë se gjoja qeveria ka shkëputur ndonjë marrëveshje, por fakti tregon se ai është tërhequr njëanshëm në mars të vitit të kaluar. Tash nëse synimin e ka për të kritikuar qeverinë, ta bëjë me argumente të tjera. Por, nëse kritika e tij është pretekst për t’i bërë një favor më të mirë Contour Global në raport me arbitrazhin dhe padinë që mund të rezultojë ndaj shtetit të Kosovës, nuk i bënë shërbim të madh vendit kur flet të pavërteta”, tha ai.
Duke iu kundërpërgjigjur, Haradinaj, i cili është edhe kryetar i AAK-së, e quajti ministër në ikje, Hekuran Muratin. “Kur ju thonin ‘ministër në ikje’, nuk desha t’iu bashkohem asaj, kur tash e kuptova se jeni në ikje se ju po flisni vetëm për këtë dimër. Po harroni se refuzimi i Contour Global na rrezikon edhe për shumë dimra të tjerë. Njëkohësisht edhe refuzimi i gazit na rrezikon edhe për shumë dimra të tjerë”, tha ai.
Në fjalimin e tij, ministri Murati tha se edhe raportimet se “iu ka thënë specializantëve të largohen nga Kosova nëse e kanë mundësinë” janë të pavërteta.

Back to top button