Dëshmitari i ZPS-së në gjykimin ndaj Mustafës thotë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një personi

Në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa në Hagë dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka përmendur dy persona të pajetë dhe ka thënë se e ka zhvarrosur njërin prej tyre.
Derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur, i cili mban kodin Ë4674, ka thënë e ka gjetur një varr me dy trupa, por sipas tij njëri prej tyre ishte i panjohur për të.
“Trupin e parë e veç kemi zbuluar dhe e kemi vërejtur që nuk është, i panjohshëm është dhe nuk e kemi prekur më shumë e kemi mbuluar prapë. Në tjetrën anë kemi gjetur një trup të njohshëm, edhe atë si e kemi vërtetuar që është e kemi mbuluar edhe atë prapë dhe kemi shkuar në shtëpi. Pas dy dite kemi shkuar me traktor dhe e kemi zbuluar e kemi marrë dhe e kemi pru në shtëpi, e kemi varrosur”, ka thënë dëshmitari, i cili po dëgjohet nën masa mbrojtëse të sigurisë.
Sipas dëshmitarit, trupi tjetër për të cilin ka thënë se nuk e ka njohur, ka mbetur aty.
“Herën e dytë kur kemi shkuar e kemi zhvarros trupin dhe e kemi qit në traktor e kemi pru në shtëpi. Trupin tjetër veç e kemi mbuluar me dhe aty ka mbetur”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari i mbrojtur po dëgjohet në seancë të mbyllur, përjashtuar këtu disa minuta kur seanca ka qenë publike. Gjithashtu, pyetjet e avokates së viktimave janë zhvilluar në seancë të mbyllur, ndërsa avokati mbrojtës do t’i parashtrojë pyetjet pas një pauze.
Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre nëntë dëshmitarë të ZPS-së, të gjithë të mbrojtur.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja. Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Back to top button