Murati: Policia e Kosovës kurrë s’ka pasur më shumë mbështetje sesa tash

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, ka thënë se Policia e Kosovës e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës.

Ministri Murati ka thënë se paga mesatare e një polici në muajin e fundit ka qenë 840 euro burto, e cila sipas tij është 17 për qind më e lartë se paga mesatare në sektorin publik.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, tha se Policia e Kosovës kurrë më shumë s’ka pasur mbështetje, qoftë në pagë apo në investime të tjera në pajisje.

“Në polici paga mesatare e muajit maj ka qenë 840 euro bruto, kjo është 17 për qind më e lartë se paga mesatare në sektorin publik dhe është gati dyfishi i mesatares në sektorin privat. Të thuhet se policia dhe organet e tjera të rendit është e pavërtetë. A do të donim edhe ne që të ishin më të larta, po për të gjithë sektorin publik dhe atë privat. Por, duhet të rritet edhe ekonomia karshi kësaj…Kurrë më shumë mbështetje s’kanë pasur qoftë për nga investimet në pajisje apo furnizime të tjera”, tha ai, duke iu kundërpërgjigjur kritikave të opozitës për ndalje të shtesave të rrezikshmërisë ndaj policëve.

Aktualisht Serbia po i mban tre zyrtarë policorë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer të mërkurën në veri.

Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarët kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës derisa kanë qenë në detyrë, thellë brenda territorit të Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

Back to top button