Murati: Shqiptarët e Luginës duhet t’i bashkohen Kosovës

Murati deklaroi  se bisedimet duhet të rezultojnë me ripërcaktim të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë

Lëvizja për Bashkim ka mbajtur konferencën e fundvitit, gjatë së cilës u komentuan veprimet e partive politike, letra e presidentit amerikan Donald Trump drejtuar presidentit Hashim Thaçi, si dhe çështja e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

Kryetari i kësaj partie, Valon Murati tha se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kudo që janë shumicë dhe që kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën duhet t’i bashkohen Kosovës.

“Shqiptarët në Kosovën Lindore në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, kudo që janë shumicë dhe që kanë vazhdimësi territorial me Kosovën, duhet t’i bashkohen Kosovës. Serbët në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duhet ta kenë të njejtën të drejtë aty ku janë shumicë dhe ku kanë vazhdimësi territorial. Duke e respektuar këtë parim, fshatërat shqiptare të Leposaviçit Ceraja, Koshtova dhe Bistrica, ato të Zveçanit si Zhazha, Boletini dhe Kelmendi dhe Çabra në Zubin Potok, duhet të mbesin pjesë e Kosovës”, ka thënë Murati.

Murati tutje ka bërë thirrje për shfrytëzim të këtij momenti, që e vlerëson si historik.

“Forcat politike parlamentare në Kosovë, si ato në qeveri, edhe ato në opozitë, po tregohen tejet të papërgjegjshme, duke mos e trajtuar me seriozitetin e duhur momentin historik nëpër të cilin po kalojmë për të zgjidhur problemin shekullor shqiptaro-serb, përkatësisht atë të Kosovës me Serbinë. Duke mos i trajtuar seriozisht këto bisedime, duke e shndërruar këtë çështje në betejë elektorale ndërpartiake, ka rrezik serioz që ky moment politik me interes jetik për kombi nëse të na shkojë huq ose të na prodhojë zgjidhje të dëmshme për vendin”, ka thënë Murati.

Lidhur me letrën e Presidentit Trump, Murati ai ka thënë se Lëvizja për bashkim e mbështet këtë akt, dhe me shpresën që procesi të marrë kahjen e duhur.

“Letra e Presidentit Trump dërguar Presidentit Thaçi përbën një moment shumë cilësor në procesin e ngufatur të bisedimeve, si në raportet brenda vendit, ashtu edhe në ato me Serbinë e BE-në. Përfshirja e SHBA-së në këtë nivel, konsiston edhe në mundësinë e re që të dilet nga kornizat e deritanishme të ngurta të bisedimeve dhe të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për problemin”, ka thënë Murati.

Në emër të LB-së, Murati u ka bërë thirrje institucioneve të vendit dhe partive politike që të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe ta shfrytëzojnë momentin e tanishëm.

Back to top button