Murati thotë se borxhi publik është në nivelin më të ulët, LDK e AAK e kundërshtojnë

Shifrat e borxhit publik për vitin 2023 kanë nxitur polemika në mes të ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, në të cilin po raportojnë Murati dhe përfaqësues të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore lidhur më realizimin e të hyrave për vitin 2023, Murati ka thënë se borxhi publik është në nivelin më të ulët në Evropë. Ai ka thënë se si Qeveri janë munduar ta stabilizojnë dhe ai është ulur.

Sipas tij, më 2023 ka qenë 17.2 për qind e GDP-së. Murati ka shtuar se më 2023 janë disbursuar 102.4 milionë nga 692 milionë të ratifikuar. Sipas tij, më 2023 në Kuvend janë ratifikuar kredi në vlerë afro 300 milionë euro.

Deklarimi i ministrit Murati për ulje të borxhit ka nxitur reagim të deputetit Avdullah Hoti. Ai ka thënë se borxhi vetëm është mirëmbajtur dhe nuk ka pasur përmirësim të performancës së borxhit publik.

Sipas Hotit, nuk mund të merret referencë viti 2020 i pandemisë pasi që në atë kohë është rritur kreditimi dhe ka qenë në rritje shkaku i situatës së jashtëzakonshme. Ai ka thënë se 17 për qind e GDP-së ka qenë borxhi edhe në vitet paraprake.

Hoti i është drejtuar ministrit Murati që t’i lejë ironitë më të, pasi siç ka thënë, nuk është duke u munduar që ta poshtërojë askënd. Hoti ka kërkuar sqarime pse nuk është bërë vlerësim kreditor.

E për këtë Murati ka thënë se janë duke ndërtuar një historik për një trend të menaxhimit të mirë të kredisë.

Për këtë ka ndërhyrë Hoti, duke thënë “mos me mua kështu se kjo është diskutuar gjatë kohës që kam qenë ministër dhe e kemi diskutuar se a të bëhet atë vit apo vitin tjetër”.

“Pse nuk bëhet vlerësimi i kostos kreditore kur është diskutuar të bëhet më 2017. A e din sa humbjen e ka ekonomia e Kosovës shkaku i kësaj?”, ka thënë Hoti.

E Murati ka thënë se do ta bëjnë këtë dhe do të bëhet për herë të parë.

Hoti ka pyetur se çfarë vërejtje ka që nuk është bërë.

“Më është dashur që të bëjë historikun që dëshmon se kemi menaxhim mirë të kredisë dhe do ta bëjë”, ka thënë Murati.

E pas kësaj, Hoti i ka thënë se Muratit se nuk do të jetë ministër më, “se mandati juaj shkoj”.

Edhe deputeti Pal Lekaj nga AAK ka thënë se nuk ka pasur trend të zvogëlimit të borxhit por vetëm mirëmbajtje.

“Po shihet nga tabelat që keni prezantuar këtu se nuk ka ndonjë ulje enorme, nuk mund të na shitni këtë”, ka thënë Lekaj.

Back to top button