Murati ua rikujton pensionistëve të paraqiten në zyrat e pensioneve

1 min read

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ua ka rikujtuar pensionistëve që të paraqiten në zyrat e pensioneve.

Murati njoftoi se ata do të ndahen në dy grupe, do të paraqiten sipas radhës – të pavaksinuar dhe të vaksinuar.

“Që nga java e kaluar MFPT ka njoftuar pensionistët se është rikthyer detyrimi që ata të paraqiten në zyrat e pensioneve.  Për të evituar tollovitë, kemi bërë ndarjen në dy grupe që duhet të paraqiten sipas radhës – të pavaksinuar dhe vaksinuar. Të gjithë pensionistët që NUK kanë marrë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, janë të obliguar të paraqiten në zyrat e pensioneve para datës 14 korrik 2022. Të gjithë pensionistët tjerë, janë të obliguar të paraqiten më së largu deri me datën 12 gusht 2022”, ka thënë Murati.

“Për të dëshmuar vendbanimin, pensionistët duhet të sjellin me vete edhe faturën e energjisë elektrike, duhet të jetë në emrin e pensionistit, apo në emër të familjarit me të cilin pensionisti jeton në bashkësi familjare. Në rast se jeton me qira, atëherë duhet edhe kontrata e qirasë, bashkë me faturën e energjisë elektrike”, shtoi Murati./21Media