Musliu dorëzoi padi në Gjykatë ndaj ministrit Peci

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, sot ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shpifje, ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
“Sapo dorëzova padi ndaj ministrit, Faton Peci. Peci do të ballafaqohet me mua në gjyq, për shpifjet e tij të ulëta me qëllim të dëmtimit të reputacionit tim si dhe dëmtimit të imazhit tim si deputete dhe përfaqësueses së popullit në Kuvendin e Kosovës”, tha Musliu në një prononcim për media pas dorëzimit të padisë.
Musliu u shpreh se “nëse do të ketë drejtësi do të vendosen në favorin tim, sepse uji është hedhur pas fyerjeve të tij”.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka treguar se ministri i Bujqësisë ka anuluar thirrjen për grante dhe nuk e ka bërë publike këtë vendim.
Sipas saj, tashmë përkundër dëmtimit që u është shkaktuar nga anulimi i këtij vendimi, bujqit nuk po kanë guxim që ta padisin ministrin Peci.
“Zoti Peci ka gënjyer bujqit, rreth 1 mijë bujq të cilët kanë aplikuar për të fituar grante në Ministrinë e Bujqësisë dhe ai ka bërë anulimin e thirrjes, gjë që kur bëhet anulimi i një thirrjeje publike duhet të bëhet edhe shpallja publike. Zotëri Peci e ka fshehur vendimin duke ditur se do të përballet me padi prej bujqve derisa unë e kam ngritur në Kuvend, në momentin që unë e kam ngritur këtë çështje në Kuvend, vendimi është marr në korrik zotëri Peci për herë të parë e ka shpallur vendimin në faqen zyrtare më 7 dhjetor pas reagimeve të mija… Bujqit për të kompletuar dokumentacionin kanë shpenzuar afër 500 mijë euro dhe tani ata kanë mbetur të lënë pas dore, të gënjyer dhe të mashtruar dhe më e keqja bujqit dhe fermerët nuk kanë pasur kohë që të bëjnë padi dhe tani frikësohen edhe të ngrisin padi ndaj ministrit për shkak se mund të penalizohen në rastet e tjera”, u shpreh ajo.

Padia e Musliut ndaj Pecit vjen pas një përplasjeje verbale në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Musliu e pati quajtur Pecin “rrugaç”, e më pas e kishte hedhur një gotë me ujë ndaj tij.
Pas këtij incidenti, deputetja Musliu pati dalë në një konferencë ëpr media, ku edhe ka paralajmëruar padi ndaj ministrit Peci./21Media

Back to top button