Musliu nuk pi ujë në gotë të plastikës, i thotë Pacollit ‘Po ta respektoj kërkesën’
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ganimete Musliu nuk ka pirë ujë gjatë mbledhjes së Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi dhe Zhvillim duke thënë se do respektojë kërkesën e Fitore Pacollit për mos përdorim të plastikës.
“Nuk po pi ujë zonja Pacolli, po ta respektojë kërkesën që ke pasur për mos përdorim të plastikës, gotat këtu qenkan plastike”, tha ajo.
Kryetarja e këtij komisioni Fitore Pacolli tha se kjo është çështje e administratës duke mos u deklaruar më gjatë.
Komisioni në këtë mbledhje kaloi në lexim të dytë projektligjin për zgjatje për 3 vjet të trajtimit të ndërtimeve pa leje.
Në nëntor të vitit të kaluar, Deputetja, Fitore Pacolli Dalipi kishte filluar një iniciativë për zëvendësimin e shisheve të plastikës me ato të qelqit në Kuvendin e Kosovës.
Sipas saj, kjo do të kursente edhe buxhetin e Kuvendit i cili shpenzon 9 mijë euro në muaj për furnizimin e deputetëve me ujë në shishe të plastikës.
“Po e shihni një ndryshim, keni shishe dhe gota të qelqit ky komision për mjedis në javën e kaluar ka marrë vendim që Kuvendi i Kosovës t’i bashkohet shteteve të Evropës. Nëse shkojmë në maksimum të vlerave për një muaj, grumbullohen rreth 8 mijë shishe të plastikës që ne shpenzojmë çdo muaj, por nëse i zëvendësojmë ato me shishe të qelqit në do të kursejmë edhe buxhet të Kuvendit të Kosovës”, pati thënë ajo.