Mustafa: Çdo gjë pritet nga ata, të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviqit

Ish-kryeministri, Isa Mustafa, është deklaruar mbi zhvillimet e fundit në vend, përfshirë arrestimin e më pas lirimin e avokatit, Besnik Berisha.

”Dolën të zhgënjyer ata që deshën të njollosin qeverinë që unë e drejtova duke aluduar se u arrestua për krim ish këshilltari i saj (do të thoja për “nacionalizëm e irredentizëm”, siç ua mveshte UDB-ja jugosllave atyre që i ndiqte ti eliminonte e s’kishte argumente dhe fakte për ndonjë vepër konkrete)”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Tutje Mustafa ka shkruar se ‘çdo gjë pritet nga ata të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviqit’, duke thumbuar kështu VV-në, pasi aloduon në videopërgjimet e Mimoza Kusari-Lilës me Slavko Simiq dhe Millan Radojiçiq.

”Çdo gjë pritet nga ata, të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviqit për tu organizuar bashkërisht për të kundërshtuar e kërkesat e Veteranëve të UÇK-së. Por, duhet të gëzohemi se gjyqësia, të cilën shpesh po e kritikojmë, pas debatit maratonik për këtë rast, u tregua e drejtë dhe nuk u dorëzua para kërkesave absurde të karaxhozëve që deficitet e tyre profesionale i kompensojnë me aleanca me pushtetin; të cilët e harrojnë betimin e dhënë për zbatimin e Kushtetutës por bëhen hyzmeqarë të atyre që kanë dalë nga fakulteti pa bërë fakultet . Është inkurajues guximi i disa përfaqësueseve të mediave për shprehjen pa hezitim të mendimit të tyre për personalitetin e avokatit Berisha, dhe atë jo për të ndikuar në drejtësi por për të kërkuar drejtësi, siç është edhe ky opinion imi. Kosova meriton shtet ligjor, avokatë të fortë e të guximshëm, prokurorë e gjyqtarë që zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën e nuk veprojnë me porosi. Vetëm kështu, ne si qytetarë mund të ndihemi të sigurt. Nuk na bëjnë të sigurte sondazhet e partive politike por zbatimi i Kushtetutës dhe ndërtimi i shtetit të mirëfilltë ligjor”, ka shkruar Mustafa./21Media
Back to top button