Mustafa: Jemi bllokuar nga BE

Sipas kryeministrit kushtet e BE-së janë të pakuptimta

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se aspiratat për t’u anëtarësuar në BE duhet t’i përmbushim me veprime dhe vendime të mëdha dhe të guximshme.

“Bashkimi Evropian u themelua që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, të mirave, shërbimeve dhe kapitalit. Tregu unik evropian mënjanoi barrierat për lëvizje të lirë të faktorëve të prodhimit sikurse edhe të ndërmarrësisë dhe shërbimev”, ka shkruar i pari i ekzekutivit në profilin e tij zyrtar ‘facebook’.

Sipas Mustafës, Kosova ka nevojë të jetë në tregun e BE-së, ai thotë se këtë e mundëson MSA-ja. “Kosova ka nevojë për dije evropiane; këtë e mundëson liberalizimi i vizave. Kosova ka nevojë për lëvizje të lirë të mallrave; këtë e mundëson liberalizimi i vizave (ndryshe mallrat nuk mund të lëvizin pa njerëz). Kosova ka nevojë për lëvizje të ndërmarrësisë; edhe këtë e mundëson liberalizimi i vizave”, ka shkruar ai.

Ai thotë se jemi bllokuar nga BE, me një kusht të pakuptimtë ashtu siç jemi bllokuar nga vetvetja me një kauzë politike të paqëndrueshme por edhe të dëmshme për perspektivën e vendit.

“Në një formë, ne mund ti kuptojmë paragjykimet e disa burokratëve evropian në përcaktimin e kushteve që nuk ua kanë përcaktuar të tjerëve, por duhet të gjejmë forcë të tejkalojmë vetveten për të qarë rrugën evropiane, atë të perspektivës ekonomike dhe kulturore”, ka thënë Mustafa përmes një postimi.

Kryeministri Mustafa thotë se duhet të arrijmë atje ku e kemi qëllimin, pa marrë parasysh se kjo rrugë nuk është pa pengesa. “Fundja rrugë tjetër nuk kemi, prandaj çdo vonesë na dëmton.
Pa pjesëmarrje të mirëfilltë në tregun evropian nuk ka zhvillim ekonomik çfarë neve na nevojitet”, ka shtuar Mustafa./21Media

Back to top button