Mustafa: Kohëve të fundit jam në stres

Në Hagë ka nisur seanca e tretë në gjykimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.
Ai ka kërkuar fjalën nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia, ku ka thënë se kohëve të fundit i është shkaktuar stres nga disa faktorë.
“Që në fillim po ju them se as dëshira ime dhe as qëllimi im nuk është që të mos ju respektoj juve dhe panelin e kësaj gjykate, por as zonjën avokate që është ulur atje përballë, sepse nuk është as në bindjen time e as në kulturën time. Por kohët e fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm dhe tani po u them se cili është problemi. Pas 12 muajve në paraburgim…”, ka thënë ai.
Në momentin kur Mustafa ishte duke vazhduar fjalimin e tij, dhe po thoshte se pas 12 muajve paraburgim, u ndërpre transmetimi live nga seanca për shkak “të përmbajtjes së redaktuar”.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja dhe që po qëndron në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020./21Media
 

Back to top button