Mustafa: Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë

“Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Isa Mustafa, ka thënë se dje Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë.

“Mos të flas për numrin. Më parë, me kompetencë, një ministre e bënte punën e gjithë atyre që ishin në Bruksel. Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun”, ka thënë Mustafa.

Ai shtoi se bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan ti tregojnë Kosovës se kush janë.

“Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në.  LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën. Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet. Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla. Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti”, ka shkruar Mustafa në Facebook. 

Ekipi negociator dje ka prezantuar në Bruksel rezolutën dhe ligjin që ia përcakton rolin e këtij ekipi gjatë procesit të negociatave me Serbinë. Udhëheqësit e ekipit negociator Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti thanë se para përfaqësueses së lartë të BE-së Federika Mogherini kanë shprehur gatishmërinë për të biseduar për të gjitha temat e hapura me Serbinë si dhe për marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse e cila do të sillte njohjen reciproke./21Media

Back to top button