Mustafa: Taksa i mbuloi të gjitha dështimet e Qeverisë

“Ne nuk i kemi vënë laura Serbisë”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa tha se taksa i mbuloi të gjitha dështimet e Qeverisë.

Mustafa përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare “Facebook”, u shpreh se LDK është angazhuar dhe angazhohet për miqësi të përhershme me SHBA-të dhe partneritet me BE-në.

“Dihet se taksa u vu një ditë pasi Qeveria dështoi të anëtarësoj Kosovën në Interpol. Dështimi iu vesh Serbisë me të drejtë, por për këtë dështim nuk u fajësua askush në Kosovë që nuk e bëri punën mirë. Që ta mund Serbinë. Taksa mbuloi çdo gjë, i mbuloi të gjitha dështimet dhe po vazhdon ti mbuloj edhe më tutje”, ka shkruar Mustafa.

Isa Mustafa tha se LDK nuk e ka propozuar taksën, nuk ka ngarendë të merr merita dhe sipas tij, LDK nuk konsideron se i takon asaj të shprehet se çfarë duhet të bëjë Qeveria me taksën.

“Kryeministri i ka 35 këshilltarë e 80 zëvendësministra; sikurse edhe Kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri (që u ofruan të marrin merita) le të konsultohen me njerëzit e vet. Ata janë aty për të dhënë ndihmesën e tyre në punët e shtetit, jo që me para të shtetit ta sulmojnë opozitën”, u shpreh tutje Mustafa.

Ai shtoi se Serbia po vazhdon aktivitetin për tërheqje të njohjeve, por me të nuk po merren ndërkombëtarët. “Të gjithë po merren me taksën e Kosovës”, shtoi kreu i LDK-së.

Mustafa tha se taksa është bërë kusht nga Serbia për vazhdimin e dialogut, pra një lloj laure. “Ne nuk i kemi vënë laura Serbisë. Se çfarë duhet të bëjë apo të mos bëjë për të vazhduar dialogu. Në momentin që ngrihet laura e taksës, askush nuk e di se ku e qon dialogu Kosovën. Askush nuk ka marrë siguri se Serbia do ta njohë Kosovë, askush nuk ka marrë garanci se nuk do të cenohet shtetësia e Kosovës. E vetmja gjë që vërehet është se dikujt po i ngutet?! Dhe e vetmja gjë që dihet është se punët e shtetit nuk bëhen me nguti”, thuhet në shkrimin e Mustafës.

Sipas tij Institucionet e Kosovës, çdonjëra për vete lobon në SHBA e vende tjera përmes firmave lobuese me kontrata të dyshimta të nënshkruara nga ministra e zëvendësministra, apo nga Presidenca, siç thotë Mustafa pa e ditur kush se për çfarë po lobojnë dhe si po shpenzohen këto para publike. “Tani edhe këto po i mbulon taksa. Por, jo përgjithmonë”, përfundoi ai.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarsimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj takse janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button