Nagavci i quan të papranueshme kërcënimet e SBASHK-ut për grevë

2 min read

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kërcënimin e SBASHK-ut me grevë në fillim të vitit të ri shkollor e ka quajtur të papranueshëm, pasi me këtë do të dëmtohet procesi mësimor.

Nagavci në një postim në “Facebook” ka pranuar se rezultatet në arsim nuk janë të dëshirueshme, por tha se nevojitet më shumë punë për ndryshime pozitive.

“Ata që ia duan të mirën vendit, të ardhme më të mirë për fëmijët e suksese të përbashkëta duhet të ftojnë për angazhim dhe jo për greva, bllokada e pengesa”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka shtuar se Ministria e Arsimit po punon me intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet, në legjislacion, përmirësim të infrastrukturës shkollore, mbështetje për mësimdhënësit e nxënësit dhe nuk e kemi ndërmend të ndalemi.

“Edhe legjislacioni që i rregullon pagat dhe të tjera po bëhet dhe do të bëhet si më mirë të jetë e mundshme. Koha është për punë, e mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë t’u mohojë fëmijëve të drejtën për shkollim”, është shprehur Nagavci.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), njoftoi muajin e kaluar se do të ketë “reagime të forta sindikale” para shtatorit, për shkak se Qeveria aktuale nuk po i merr parasysh kërkesat për të dialoguar.

Qeveria as nuk po ngrit pagat, as nuk po fton në takime sindikatat për të bashkëbiseduar, as nuk po i fton për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave, sipas SBASHK-ut, i cili tash e sa muaj kërkon që në Ligjin e Pagave të rritet koeficienti i pagave të mësimdhënësve./21Media